Sociale

Shqipëria “josh” indianët e arabët; liberalizohen vizat turistike për 8 shtete

Në mungesë të turistëve nga Ukraina dhe Bjellorusia, Shqipëria po përpiqet të joshë pushuesit nga Gadishulli Iberik dhe Lindja e Mesme duke hequr vizat me 8 shtete në këto rajone. Operatorët e vlerësojnë pozitivisht nismën, por thonë se efektet e saj nuk do të ndihen këtë sezon turistik veror.

Sezoni turistik veror po afron dhe Shqipëria po përpiqet të joshë të huajt. Prej 1 majit, qytetarët nga Rusia, Egjipti, Bahreini, Katari, Arabia Saudite, Omani, India dhe Tajlanda do të mund të hyjnë në vend pa pasur nevojën e një vize.

Nismën e vlerësojnë pozitivisht edhe operatorët. Por sipas tyre, efektet e kësaj iniciative do të ndihen shumë pak për këtë sezon turistik.

Për më tepër, operatorët ankohen se këto vende ka vështirësi për udhëtime direkte me Shqipërinë.

Ndërkohë, efektet e luftës Rusi-Ukrainë do të penalizojnë një masë të konsiderueshme sezoni thonë operatorët.

Teksa pohojnë se dhe ky sezon me shumë gjasa do të shpëtohet nga “turizmi patriotik”.

Sezoni turistik veror edhe këtë vit pritet të vijë me rritje çmimesh për shumicën e bregdetit shqiptar. Tur-operatorët dhe vetë strukturat akomoduese raportojnë rritje mes 10-40% nga Jugu në Veri. Për ata që duan pushime ekonomike, plazhet e Adriatikut janë alternativat më të lira me Velipojën dhe Shëngjinin.

Durrësi është për të gjithë, nga më ekonomikët tek më luksozët, kurse Jugu me çmimet më të kripura në të gjithë vijën. Marr shkas nga vjet, Qeparoi pritet të jetë varianti më i lirë në Jon, kurse Palasa, Dhërmiu e Jali më të shtrenjtat. Në disa prej tyre, çmimi i një shezloni shkonte sa çmimi i një nate në hotel.

Saranda dhe Durrësi mbeten dy qytetet me frekuentimin më të lartë, kurse Himara e Vlora mbeten në nivelet e një viti më parë. Pas një viti pushim, këtë vit rizgjohet edhe industria e argëtimit dhe bregdeti pritet të “vlojw” nga koncertet.

Pavarësisht rigjallërimit të përgjithshëm të turizmit, operatorët e hotelerisë vërejnë se pushuesit kanë shkurtuar kohën e qëndrimit dhe kanë reduktuar shpenzimet.