Aktualitet

Shqipëria në BE, Oliver Varhelyi viziton Tiranën më 28 prill

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, do të vizitojë Shqipërinë më 28 prill. Vizita zyrtare e Oliver Varhelyi në Shqipëri vjen në kuadër të turit të takimeve në Ballkan që nisin sot dhe përfundojnë të enjten me takimet në Tiranë. Përveç kryeqytetit shqiptar, Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin do vizitojë Zagrebin, Shkupin dhe Sofjen, ku do flitet lidhur me samitin BE-Ballkan në Sofje. Më herët sot, Varhelyi njoftoi zbatimin e paketës së parë të Planit Ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ne po lançojmë sot paketën e parë thelbësore sipas planit ambicioz ekonomik dhe investues të BE-së prej 30 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor”, tha Varhelyi në median sociale Twitter.

Ndër të tjera ai shtoi se janë 21 projekte të lidhjes së transportit, digjitalit, klimës + energjisë, me vlerë 3.2 miliardë euro, me 1.1 miliardë euro grante të BE-së.

Sa i përket euro-integrimit Shqipëria penalizohet nga Maqedonia e Veriut e cila ka konflikt me Bullgarinë. Por më herët gjatë një interviste për DW, përfaqësuesi i lartë i BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Josep Borrell tha në Shkup se nuk mund të premtojë se Maqedonia e Veriut në qershor do të fillojë bisedimet e pranimit në BE. Ai ka përsëritur se Brukseli po bën gjithçka që është e mundur që në konferencën e ardhshme ndërqeveritare të fillojnë negociatat.

Ky është momenti i zgjimit për Evropën, momenti kur duhet të jetësohet procesi i zgjerimit me vendet nga Ballkani Perëndimor, tha Borrell. Ai shtoi se „duhet të fillojmë negociimin formal për përfshirjen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë sa më parë dhe shpresoj se kjo do të jetë e mundur në konferencën e ardhshme ndërqeveritare”.

“RMV është në familjen evropiane. Premtim? Nuk mund të premtoj. Por unë mund t’ju siguroj se ne po bëjmë gjithçka që mundemi që bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë të fillojnë në konferencën e ardhshme ndërqeveritare, sepse ky është një prioritet për KE dhe për mua”, tha Borrell.

Borrelli theksoi se Maqedonia e Veriut dhe i tërë rajoni janë prioritet strategjik dhe BE është i përkushtuar ta bëjë realitet perspektivën evropiane të këtyre vendeve.

Zgjidhja e çështjeve bilaterale lehtëson rrugën drejt BE

Borreli e përshëndeti impulsin e ri mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke nënvizuar se i nxit të dyja palët të gjejnë zgjidhje të ndërsjellta të pranueshme dhe t’i zgjidhin çështjet bilaterale, sepse zgjerimi nuk mund të vazhdojë nëse pengohet nga çështjet bilaterale.

“I inkurajoj të dyja palët që të zgjidhin çështjet bilaterale, sepse procesi i zgjerimit nuk mund ta vazhdojë pa zgjidhjen e çështjeve bilaterale. Të gjithë aktorët duhet të punojnë në zbatimin e reformave, për përmbushjen e agjendës evropiane”, ka thënë Borrelli.

Borrelli e përshëndeti pozicionin e Maqedonisë së Veriut lidhur me kontestin ruso-ukrainas, duke qëndruar prapa sanksioneve dhe duke e dënuar agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.

“Lufta e Putinit nuk është vetëm luftë me Ukrainën, por bëhet fjalë për siguri në gjithë kontinentin evropian. Ne duhet të flasim me anëtarët e ardhshëm të BE-së, të falënderojmë për qëndrimin e fortë dhe mbështetjen e fortë kundër luftës në Ukrainë”, tha Borrelli.

Zyrtari i lartë i BE gjithashtu njoftoi se janë në përfundim e sipër të miratimit të pakos së katërt të masave kundër Rusisë.