Botë e Çuditshme Design

Shtëpia rrotulluese më e famshme në Itali/VIDEO!

E vendosur në veri të Italisë në afërsi të qytetit Rimini, shtëpia tetëkëndëshe është dizajnuar në atë mënyrë që pronarëve t’u ofrojë kënaqësi maksimale në shikimin e pjesëve kodrinore piktoreske që e rrethojnë. Shtëpia e punuar nga druri është e vendosur në shtyllën qendrore, e cila ia mundëson lëvizjen në të dy drejtimet.

“Mundësia e shtëpisë që të rrotullohet ka qenë kërkesa të cilën klienti e ka pasur që në fillim, nga njëra anë për shkak të posedimit të mundësive të ndryshimit të shikimeve në peisazh, por në të njëjtën kohë, edhe për shkak të dashurisë së tij të madhe ndaj makinave dhe mekanizmave”,-thotë arkitekti Roberto Rossi.

Për të pasur nevojë për sa më pak energji për rrotullim të objektit kaq të madh, shtëpia është dizajnuar që të jetë sa më e lehtë; korniza është bërë nga çeliku, muret nga panelet e drurit ndërsa për izolim janë përdorur panelet nga liri dhe fibrat e drurit. Kujdes i madh i është kushtuar efikasitetit energjetik të shtëpisë.

Prandaj, në kulm janë vendosur panele solare të cilat gjenerojnë energjinë e nevojshme për funksionimin e saj. Me rrotullimin e shtëpisë përshtatet pozita e paneleve ndaj diellit, në mënyrë që maksimalisht të shfrytëzojë energjinë e tij. “Nga pikëpamja teknike, shtëpia rrotulluese mundëson arritjen e efikasitetit më të madh të paneleve, duke pasur orientimin më të mirë gjatë ditës”,-shpjegon Rossi. Bashkë me panelet, kjo shtëpi është e pajisur edhe me pompën e nxehjes dhe sistemin solar termal, që gjithashtu gjeneron energji.