Aktualitet

Shtohen rastet me COVID në vend, por masat nuk ndryshojnë/Thirrje për vaksinim!

Komiteti Teknik i Ekspertëve në mbledhjen e sotme i bëri apel qytetarëve që të kryejnë vaksinimin kundër COVID-19. Kryetarja Mira Rakacolli deklaroi se “nisur nga situata ku ndodhemi e ku kemi një rritje të numrit të rasteve pozitive me COVID-19, i bëjmë apel qytetarëve që të kryejnë dozat e treta dhe të katërta të vaksinimit kundër koronavirusit”.

Të gjithë qytetarët i kanë të disponueshme vaksinat në të gjitha qendrat shëndetësore të cilave ata i përkasin. Vaksinimi është i rëndësishëm, pasi të pavaksinuarit u rrezikojnë jetën edhe atyre që janë të vaksinuar.

Rakacolli i bëri thirrje qytetarëve në vendin tonë, që të përdorin maskën në ambientet e mbyllura.

I bëjmë thirrje qytetarëve të përdorin maskën në ambientet e mbyllura, veçanërisht personave që janë me sëmundje kronike, si dhe të moshuarve.

Më tej Rakacolli theksoi:

Siç është vënë re edhe në raportimet tona të përditshme pas një periudhe të stabilizuar të përhapjes së këtij infeksioni, periudhë e cila përkoi me heqjen e të gjithë kufizimeve në vend dhe më tej prej disa javësh në botë filloi një rritje e të infektuarve, por edhe të sëmurëve e humbjeve të jetës si në Itali, Spanjë, Greqi, Maqedoni e Veriut e vende të tjera.

Ky trend është vënë re edhe në vendin tonë, javën e kaluar numri i infektimeve u shtua ndjeshëm, ndërsa javën e fundit kanë ndodhur edhe humbje jete. Kjo ka ndodhur si rezultat i qarkullimit të nënvarianteve të virusit Omicron, që është i njohur për shkallën e lartë të infektueshmërisë.

Në mbledhjen e Komitetit, shefja e Infektivit, Najada Çomo, prezantoi si paraqitet situata në spitalin COVID-3.

Janë persona të pavaksinuar, me vaksinë të lënë në mes dhe kryesisht ata që kanë bërë vaksinimin e hershëm. Bërja e dozës së tretë është e domosdoshme, grupmosha më e prekur është 60-70/vjeç.

Pavarësisht rritjes së infektimeve, nuk u vendos rikthim i masave kufizuese anti-COVID në vend.