Aktualitet Politikë

Shtyhen zgjedhjet e Komisionit të Rithemelimimit për kreun e PD-së Bulqizë!

Anulohet zgjedhja e kryetarit të ri të degës së Partisë Demokratike në Bulqizë. Komisioni i Rithemelimit kishte miratuar një listë me 1 mijë e 700 anëtarë, por në momentet e fundit, në të u konstatuan më shumë emra, 2 mijë e 258.

Sipas anëtarit të Komisionit të Zgjedhjeve në PD, Shkëlqim Tançi, “ishin shtuar emra që nuk janë pjesë e Partisë Demokratike, por i përkasin partive të tjera”. Për këtë arsye, kandidatët nuk ranë dakord që të mbaheshin zgjedhjet dhe u vendos të zhvillohen në një ditë tjetër.

Për sot, procesi u pezullua, u shty për një datë tjetër, për arsye të mosrakordimit të listave. Lista e miratuar nga Kryesia ishte me 1700, lista që erdhi sot ishte e fryrë me 2258 emra. Dy kandidatët vendosën që të mos futen në këtë lloj gare sepse nuk është garë e barabartë, pasi listat janë të fryra me emra që nuk ekzistojnë fare te PD-ja aktualisht. Mund të jenë pjesë e partive të tjera.

Kandidatët në garë për kreun e PD-së Bulqizë janë Fatos Hoxha e Shaqir Manjani. Kjo ishte një problematikë vetëm për Bulqizën ndërsa vazhdohet me zgjedhjet në Krujë, Belsh, Vorë, Maliq e Tirana 14. Me përfundimin e procesit zgjedhor, pas gjashtë ditësh, më 30 prill, Rithemelimi mbledh Kuvendin Kombëtar, për të filluar me zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike.

Komisioni i Rithemelimit, i ngritur në Kuvendin e thirrur nga Berisha më 11 dhjetor të vitit të kaluar vijon me procesin e zgjedhjeve për kryetarët e degëve në PD, ndërsa nuk ndalet as beteja gjyqësore mes palëve. Muajin e kaluar, në datën 25 mars, Gjykata e Tiranës me një vendim të gjyqtarit Agron Zhukri njohu Kuvendin e 11 Dhjetorit e për rrjedhojë vendimet e tij ndërsa Alibeaj e ankimoi vendimin, ankimim që dy ditë më parë u pranua nga Apeli.

Ndryshimet e Statutit më 11 dhjetor 2021, i hapin rrugë primareve brenda partisë, me qëllim fuqizimin e anëtarësisë, sanksionojnë legalizimin e fraksioneve. Po ashtu, një nga ndryshimet kryesore që u miratuan në statutin e ri është i ashtuquajturi neni “Basha”, ku kryetari i partisë lë mandatin menjëherë nëse humb zgjedhjet parlamentare dhe votëbesohet nëse humb zgjedhjet vendore.