Bota

Shtyhet gjyqi i ish-presidentit Trump për dokumentet sekrete!

Gjyqi i ish-presidentit amerikan, Donald Trump në Florida për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara pas largimit nga detyra shtyhet për një kohë të pacaktuar. Vendimin e mori gjykatësja federale e kësaj çështjeje, duke ulur ndjeshëm shanset e fillimit të njërit nga gjyqet për akuza penale para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit.

Për ish-shefin e Shtëpisë së Bardhë, Trump, i cili është në garë për një mandat të dytë presidencial, fillimisht ishte vendosur që të dilte në gjyq më 20 maj lidhur me akuzat mbi mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara. Këto akuza janë ngritur nga Prokurori i Posaçëm, Jack Smith, por prokuroria dhe mbrojtja e kishin pranuar se gjyqi do të duhej të shtyhej.

Gjykatësja federale, Aileen Cannon, e cila u emërua nga Donald Trump në vitin 2020, tha se gjyqi nuk do të fillonte më 20 maj, por nuk caktoi një datë të re të fillimit të tij. Trump është deklaruar i pafajshëm për 40 akuza federale sa i përket mbajtjes në mënyrë të paligjshme të dokumenteve sekrete të sigurisë kombëtare në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago, në shtetin e Floridës, pas largimit nga detyra në vitin 2021, si dhe për pengimin e përpjekjeve të qeverisë amerikane për t’i tërhequr ato.

Donald Trump është kandidati i pritshëm republikan për president, që pritet të sfidojë presidentin demokrat Joe Biden, i cili e mundi atë katër vjet më parë.

Prokurori i posaçëm, Jack Smith përballet me pengesa të mëdha për të çuar në gjyq, njërën nga dy çështjet federale kundër Trump-it, përpara zgjedhjeve presidenciale. Gjykatësja Cannon ende nuk ka vendosur për disa çështje ligjore thelbësore lidhur me dokumentet dhe ka sinjalizuar mbështetje për mbrojtjen e Trump-it mbi disa çështje.

Ish-presidenti u rikthye dje në gjyqin penal ndaj tij në Nju Jork, ndërsa përballet edhe me mundësinë e ndëshkimit me burg pasi vazhdoi të shkelë urdhrin për të mos bërë komente për dëshmitarët. Prokurorët thirrën si dëshmitare ish-aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels.

Daniels hyri me hapa të vendosur në sallën e gjyqit dhe bëri betimin. Por, nuk u ndal për të parë drejt Trump-it, i cili mbante vështrimin drejt ndërsa Stormy hyri në sallë.

Më herët, ish-presidenti Trump u shpreh se ishte njoftuar “vetëm në minutën e fundit” se kush do të ishte dëshmitarja dhe u ankua me një mesazh në rrjetin social Truth Social se duhej të ishte njoftuar më herët. Më pas e fshiu postimin.