Bota

Shuhet Desmond Tutu, ikona e lëvizjes anti-aparteid!

Arkipeshkvi afrikano-jugor Desmond Tutu, fitues i Nobelit për Paqen e simbol i luftës kundër aparteidit, mbylli sytë në moshën 90-vjeçare. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare në Afrikën e Jugut. Tutu u kthye në promotor i bashkimit dhe u nderua me Nobelin e Paqes në vitin 1984, për fushatën paqësore kundër qeverisë së pakicës së bardhë, në Afrikën e Jugut.

Presidenti Cyril Ramaphosa:

Ndarja nga jeta e arkipeshkvit Desmond Tutu është një tjetër kapitull zie në lamtumirën që vendi ynë i jep një brezi afrikano-jugorësh të jashtëzakonshëm, të cilët lanë pas një Afrikë Jugu të çliruar.

Shpirti i pajtimit

Pas fundit të aparteidit që shkaktoi izolimin politik të Afrikës së Jugut, Tutu ideoi dhe u vendos në krye të Komisionit për të Vërtetën e Ripajtimin, i krijuar në vitin 1995.

Në një proces dramatik e të dhimbshëm pajtimi mes dy palëve të shoqërisë afrikano-jugore, ky Komision zbuloi të vërtetën mbi mizoritë e kryera në dekada nga të bardhët ndaj njerëzve me ngjyrë.

Falja iu dha atyre që ndonëse përgjegjës për krimet e tmerrshme, pranuan të rrëfenin gjithçka. Kjo u konsiderua edhe si një formë shpagimi moral kundrejt familjarëve të viktimave.