Aktualitet

Shuhet këngëtari i njohur Qemal Kërtusha!

Këngëtari i njohur durrsak, Qemal Kërtusha u nda sot nga jeta në moshën 90-vjeçare. Në repertorin e Artistit të Merituar, gjithashtu Qytetar Nderi i Durrësit, numërohen mbi një mijë këngë të kënduara nëpër skenat tona e ato botërore. “Të falem i bukuri Durrës” mbetet emblemë e qytetit bregdetar në dekada.

I lindur më 27 tetor 1931, që në moshën 15-vjeçare u përfshi në lëvizjen amatore të Durrësit. Dy vjet më vonë, më 1948-ën, iu bashkua Filarmonisë në Tiranë dhe më 1951-shin u bë pjesëtar i Ansamblit të Ushtrisë. Me Ansamblin e Ushtrisë, të cilit iu bashkua në vitin 1955, pati një axhendë shfaqjesh në Kinë, Mongoli, Kore, Vietnam, vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Shkollën e mesme e kreu në Durrës e në vitet 1951-1953 studioi kanto me Artisten e Popullit, Marie Kraja. Po ashtu, Qemal Kërtushës iu besuan edhe role si aktor në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Më tej u angazhua si këngëtar në estradën profesioniste.

Në vitin 1962 ishte pjesëmarrës i Festivalit të Parë të këngës në Radio, ku u nderua me çmime për këngët: “Fëmija i parë”, “Vashëzo” dhe “Mos më qorto”. Të tjera vlerësime mori në 17 festivale. Në vitin 1963, Kërtusha përgatiti e dha me sukses të parin koncert.

Qemal Kërtusha ka qenë dhe mbetet një figurë emblematike e këngës durrsake, por jo vetëm i Durrësit. Këngët që ka interpretuar në karrierën e gjatë kanë ngritur peshë zemrat e gjithë shqiptarëve dhe qindra të tjerëve në skenat e vendeve të ndryshme të botës ku këndoi, madje në rreth 12 gjuhë.

Në fillim të viteve ‘60, këngëtari Qemal Kërtusha kishte arritur apogjeun e suksesit të vetë muzikor, duke u dalluar si një nga figurat më të shquara të muzikës së lehtë dhe të këngëve popullore. Artisti ka prekur skenat e shumë vendeve, ndoshta më shumë se kushdo tjetër në Shqipëri nga brezi i tij.

Më tej, në vitin 1968, me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve ai ka korrur duartrokitje në Rumani e Bullgari, ndërsa në vitin 1970 Kërtusha vazhdoi me sukses në Turqi, Algjeri, Marok e Egjipt. Shtypi i atyre vendeve ka shkruar me superlativa për këtë surprizë nga Shqipëria e izoluar e asaj periudhe të regjimit komunist. Nëpërmjet zërit të tij, Qemal Kërtusha afirmoi njëkohësisht edhe zërin e atdheut.