Food & Drink Health & Beauty

Si duhen konsumuar karbohidratet dhe yndyrnat…/OBSH vjen me disa udhëzime të reja!

OBSH ka nxjerrë udhëzime të reja për konsumin e karbohidrateve dhe yndyrave. Udhëzimet e reja për konsumimin e karbohidrateve dhe yndyrave fokusohen në parandalimin e shtimit të pashëndetshëm në peshë si për të rriturit ashtu edhe për fëmijët, por edhe në rekomandimet për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve jo të transmetueshme të lidhura me dietën, si diabeti i tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare dhe lloje të caktuara të kancerit.

Përmbledhja e udhëzimeve të reja sillet rreth kufizimit të marrjes së yndyrës në 30% të marrjes totale të energjisë dhe zgjedhjes me kujdes të karbohidrateve ‘të mira’. Në raportin e OBSH-së bëhet një dallim i qartë për yndyrnat dhe rekomandohet që jo më shumë se 10% e marrjes totale të energjisë duhet të vijë nga acidet yndyrore të ngopura dhe jo më shumë se 1% nga acidet yndyrore trans.

Yndyrnat e rekomanduara nga OBSH mund të gjenden në ushqime të tilla si peshku, vaji i ullirit, arrat. Yndyrnat për t’u kufizuar, nga ana tjetër, mund të gjenden te mishi, produktet e qumështit, vezët, vaji i palmës ose kokosit. Yndyrnat e përcaktuara si trans-yndyrna, nga ana tjetër, rrjedhin nga proceset industriale. Në lidhje me karbohidratet, OBSH rekomandon fokusimin në konsumimin e drithërave, frutave, perimeve dhe bishtajave.

Mielli i bardhë, ëmbëlsirat dhe produktet industriale, nga ana tjetër, duhet të kufizohen. Rekomandohet që të rriturit të konsumojnë të paktën 400 gramë fruta dhe perime në ditë dhe 25 gramë fibra dietike. Në veçanti për fëmijët, OBSH rekomandon konsumimin e rreth 250 gramë fruta dhe perime në ditë për fëmijët nga 2 deri në 5-vjeç, 350 gramë në ditë për grupmoshat 6-9 vjeç dhe të paktën 400 gramë në ditë nga mosha 10 vjeç e lart.

Rikujtojmë, se Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar së fundmi për një rritje alarmante me 30-fish të rasteve të fruthit në Evropë gjatë vitit 2023. Drejtuesit e shëndetësisë paralajmërojnë se rastet janë ende në rritje dhe nevojiten “masa urgjente” për të parandaluar përhapjen e mëtejshme. Më shumë se 30,000 njerëz u infektuan në 2023, krahasuar me 941 gjatë gjithë vitit 2022. OBSH-ja mendon se kjo është rezultat i numrit më të paktë të fëmijëve që janë vaksinuar kundër sëmundjes gjatë pandemisë COVID.