Politikë

Situata anti-COVID përplas Ramën dhe Meten

Rikthehen replikat Rama-Meta. Presidenti e nisi sot ditën me një postim ku informonte për një letër dërguar Ministres së Shëndetësisë me kërkesën për rivlerësim tërësor të situatës e masave anti-COVID. Ndër të tjera, Meta e pyet Manastirliun se çfarë masash janë marrë për të shtuar numrin e testimeve, nëse kemi staf të mjaftueshëm për të siguruar gjurmimin e kontakteve apo për rimbursimin e shpenzimeve të mjekimit?  Kreu i shtetit shprehet se “sa i përket trajtimit, vërehet qartë se dy spitalet COVID janë tepër të ngarkuara”. Presidenti pyet ministren se sa kapacitete spitalore e reanimatore janë vendosur në dispozicion të të sëmurëve me koronavirus e sa për ata me sëmundje kronike që siç thotë Meta, “kanë vështirësi në marrjen e ndihmës mjekësore?”.

Kryeministri Rama reagoi në Twitter ku shkruan: “Ilir ti s’ke asnjë kompetencë të fusësh hundët në punët e ekspertëve për menaxhimin e situatës mjekësore! Si fillim mos dil vetë pa maskë nga shtëpia, mblidh edhe partinë tënde që të mos bëjë thirrje histerike kundër maskës dhe shiko punën që ke se vetëm atë s’po bën prej kohësh!”. Duke vënë në dukje se janë ekspertët që vendosin për hapat, Rama thekson se rritja e numrave është brenda parashikimeve por se duhet të shmangin një mbyllje të re. “Prandaj secili, ti i pari, duhet të zbatojë rregullat e thjeshta!”, – shkruan kryeministri i cili shton se Ministrja e Shëndetësisë meriton përkrahje pa rezervë për punën e palodhur.