Sport

Skuka jashtë fushave dhe Cara me kartona, Partizani duhet të ribëjë sulmin për sfidën me Skënderbeun…

Partizani shkon në Shkodër pa “artilerinë” e rëndë. Ditën e djeshme të kuqtë zhvilluan stërvitjen e radhës në kuadër të betejës së të dielës ndaj Skënderbeut në Korçë. Në mesjavë të kuqtë kishin një tjetër transfertë, atë të Kukësit, ku fituan me gol të Taipit, por humbën një “armë automatike” si Xhuliano Skuka. Sulmuesi doli në minutën e 20 me barelë nga fusha dhe pas ekzaminimeve ka rezultuar se ka një tërheqje të gradës së parë, që do ta mbajë jashtë fushave për rreth dy javë, për t’u kthyer në ditët e para të muajit mars. Gjatë dy seancave të fundit dibrani nuk ka zbritur farë në fushë dhe ka ndjekur seancat nga tribuna. Sakaq, me Skënderbeun nuk mund të luajë as Tedi Cara, i cili u ndëshkua me karton të verdhë në derbi dhe plotësoi numrin 4, që përkthehet me pezullim ndaj korçarëve. Mungesa e tij ndoshta dhemb edhe më shumë sesa Skuka, pasi është i vetmi sulmues tipik anësor në dispozicion të Shehit. Një tjetër mungesë e sigurt është Albers Keko. 22-vjeçari ditën e djeshme është kthyer në stërvitje, çka është një lajm shumë i mirë për shkak se prej më shumë se një muaji ai nuk stërvitej, madje nuk vishte dot as këpucë futbolli.

Gradualisht Keko pritet të ingranohet 100% në stërvitje dhe të vihet në dispozicion të trajnerit Shehi. Bintsuka është një çështje më vete, pasi ndaj Skënderbeut mund të luajë, por merr shumë mundësi vetëm nga stoli. Ai prej rreth një jave po stërvitet me ekipin dhe gradualisht e ka rritur formën. Megjithatë, Shehi ende nuk ka vendosur ta aktivizojë asnjë minutë, i shtyrë nga gjendja fizike dhe rreziku i përsëritjes së dëmtimit. Ndaj Skënderbeut mund të jetë momenti, nisur edhe nga fakti se reparti i ofensivës është në emergjencë. Të gjithë sulmuesit që mungojnë në Korçë kanë shënuar së bashku 16 gola.

Lajmi i mirë për Shehin është arritja e formës nga Kristian Mba, i cili në Korçë do të duhet të jetë në “frontin e parë” të sulmit. Në apel me shumë mundësi do të thirret edhe Alfred Mensah, i cili me kthimin e Mba ka humbur disi në hierarkinë e repartit. Ganezi mund të luajë në krah ose Shehi do të duhet të ndërrojë skemën, duke luajtur me dy sulmues. Gjelbrim Taipi, i frymëzuar nga goli ndaj Kukësit, pritet të plotësojë repartin e sulmit për të kuqtë. Një alternativë është edhe Luis Birçaj, i cili bëri mirë në miqësoret e zhvilluara në Turqi gjatë fazës përgatitore.