Aktualitet

Sondazh në TAR për shkarkimin e Presidentit Meta, 82% pro, 18% kundër!

Pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, Maxhoranca socialiste e rikonfirmuar në pushtet vijon me vendosmëri punën për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, zhvillim që po merr vëmendje në opinionin publik.

Një sondazhi në faqen e Top Albania Radio-s me pyetjen “A duhet shkarkuar Presidenti Ilir Meta”, 82% i janë përgjigjur me “Po” kundrejt 18% që janë kundër dhe zgjodhën opsionin “Jo”.

Nga rezultati, bie në sy përqindja shumë e lartë e të pyeturve që mbështesin nismën e socialistëve që lindi me një kërkesë të firmosur nga rreth 50 prej tyre.

Në kërkesën e socialistëve thuhet se “Nisma vjen me qëllimin e sigurimit të besueshmërisë së popullit te roli i kreut të Shtetit si një nevojë e shtetit të së Drejtës”.

Deputetët që e firmosën shprehen se “janë të bindur se Presidenti Ilir Meta gjatë periudhës para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 prillit 2021 ka shkelur rëndë e në mënyrë flagrante Kushtetutën”.

Për vetë Kryetarin e Shtetit, kjo është “një shashkë”, që synon të shmangë hetimin e krimeve zgjedhore.

Asgjë nuk ka përfunduar dhe është detyrë e gjithë subjekteve politike ta ndjekin procesin zgjedhor deri në fund referuar administrimit të çdo kontestimi dhe ankese deri në rinumërimin e votës së fundit.

Një tjetër reagim, Presidenca e pati edhe më 7 maj, pasi Kuvendi miratoi ngritjen e Komisionit Hetimor për Shkarkimin e Metës.

Ndërkaq, Komisioni Hetimor mblidhet sot në 13:00 dhe në rend dite janë disa çështje:

Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së datës 14 maj

Marrja e detyrës së ekspertit ligjor Artan Spahiu

Komunikimi i përgjigjeve të institucioneve të tjera

Prezantimi me informacionin e ardhur nga Autoriteti i Mediave Audiovizive.

Tre ditë më parë, anëtarët e Komisionit Hetimor zgjodhën si ekspertë ligjorë Artan Spahiun dhe Erind Mërkurin. Gjithashtu, diskutuan mbi përgjigjet e marra nga institucionet lidhur me objektin e komisionit për shkeljet e kryera nga presidenti Ilir Meta, gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit.