Sport

Sonte ndeshja me Izraelin, Kombëtares i duhet me patjetër fitorja!

Sonte, Shqipëria luan ndaj Izraelit sfidën vendimtare të këtij edicioni të Ligës së Kombeve me ndeshjen që do të fillojë më 20:45, me orën tonë. Një ditë më parë, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit udhëtoi drejt Izraelit, ku sot në mbrëmje përballet me vendasit, në të parin takim të shtatorit, i vlefshëm për Ligën e Kombeve.

Dje pasdite, kuqezinjtë mbërritën në Tel-Aviv dhe rreth orës 18:00 me atë lokale, zbritën në fushën e Stadiumit “Bloomfield” ku zhvilluan edhe seancën zyrtare stërvitore para sfidës. Ekipi u stërvit normalisht për më shumë se një orë, ndërsa lojtarët janë shfaqur në formë të mirë.

Vetëm sulmuesi Myrto Uzuni u stërvit pjesërisht në mënyrë të diferencuar. Kjo për shkak të problemit muskulor që e ka shqetësuar gjatë gjithë kësaj jave dhe stafi mjekësor duhet ende të vendosë nëse do të jetë i gatshëm për sfidën e sotme. Pjesa tjetër e grupit është në formë të mirë fizike. Trajneri Edoardo Reja ka provuar edhe vendosje të ndryshme taktike gjatë kësaj seance stërvitore, përveç aspektit fizik.

Para ndeshjes, tekniku italian u shpreh se “alternativa e vetme është fitorja”. Reja duket se është në sinkron me renditjen e grupit, pasi për të synuar vendin e parë në Ligën e Kombeve, me patjetër duhet fitorja me Izrealin, ndërsa më pas do të mendohet për Islandën, në sfidën e 27 shtatorit.

Përveç mbrojtësve Gjimshiti, Kumbulla e Dermaku, në sfidën e ditës së sotme, Kombëtares i mungojnë edhe mesfushorët Keidi Bare e Endri Çekiçi. Pa mungesa nuk është as Izreali, pasi lojtari më i mirë i tyre, Zahavi është i përjashtuar. Ndeshja e parë e luajtur në Tiranë në muajin qershor u fitua 1-2 nga Izraeli.

Ndërkohë, atmosfera vlerësohet si shumë e mirë, teksa stadiumi do të jetë i mbushur të sonte në mbrëmje, pasi ka interes të madh për të ndjekur ndeshjen nga tifozët vendas.