Aktualitet

Soreca takon kreun e KED-së: Me rëndësi të vazhdohet me emërimin e gjyqtarëve të mbetur!

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, ishte sot në Gjykatën e Lartë për të zhvilluar një takim pune me Kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ervin Pupe.

Soreca shkruan në një postim në Facebook se takimi vjen në kuadër të takimeve me kryetarë të institucioneve të drejtësisë. Ambasadori ka shprehur gadishmërinë për të vijuar mbështetjen e KED më asistencë teknike sikurse është ofruar deri tani, duke kërkuar nga ky këshill të vijojë më të njëjtin përkushtim në plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese

Ambasadori Soreca theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes institucioneve kyç, për të bërë të mundur emërimin e tre gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, duke inkurajuar vijimësinë e suksesit të KED në këtë proces.

Kënaqësi të takoja përsëri Kryetarin e KED-së Z. Ervin Pupe gjatë turit tim të takimeve me kryetarë të institucioneve të #drejtësisë. Me rëndësi të vazhdohet me emërimin nga Gjykata e Lartë të gjyqtarëve të mbetur të Gjykatës Kushtetuese, që të sigurohet pavarësia e saj e plotë, -shkruhet në postimin e delegacionit të BE-së në Tiranë.

Kreu i KED-së njohu ambasadorin Soreca me veprimtarinë e deritanishme të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duke vendosur thelbin në qëllimin kryesor të këtij këshilli, në përmbushje të detyrimeve kushtetuese e ligjore, në përzgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, për vitin 2021.

Bashkëpunimi i ngushtë, harmonik dhe puna paralele mes tre institucioneve kryesore të përfshira në këtë proces siç janë Këshilli i Lartë Gjyqësor, Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, do të sjellë funskionimin me përbërje të plotë të Gjykatës Kushtetuese, është shprehur Pupe duke garantuar vijimësinë e traditës së krijuar tashmë nga KED për të arritur këtë qëllim, më përkushtim.