Aktualitet Art & Kulturë Music

Sot nis Festivali Folklorik Kombëtar në kalanë e Gjirokastrës/1200 artistë në skenë!

Festivali Folklorik Kombëtar 2023, nis sot në kalanë e qytetit të Gjirokastrës, në një skenë të hapur për të gjithë. Kryeministri Edi Rama ndau një video me pamje nga skena e këtij festivali, ku do të ngjiten 1 mijë e 200 artistë.

Gati skena e qëndisur për të pritur 1200 artistët e Festivalit Folklorik Kombëtar që nis sot në Gjirokastër. Hyrja është e lirë në të gjitha ditët e festivalit.

 

Për më shumë se një javë, Gjirokastra do të jetë qyteti më turistik dhe kulturor, i hapur për të gjitha grupmoshat e për të mirëpritur çdo artdashës, vizitor në kalanë historike. Po ashtu përgjatë gjithë qytetit, përmes aktiviteteve të shumta e muzikës së Festivalit Folklorik Kombëtar.

Në Gjirokastrën e bukur dhe turistike, artistë nga i gjithë vendi, diaspora e më gjerë do të performojnë përgjatë 8 netëve. Risi është numri i madh i të rinjve që do të interpretojnë, si një dëshmi e dashurisë për muzikën folklorike.

Ky festival rikthehet pas tetë vitesh në Gjirokastër, hera e fundit ishte më 2015-ën. Krahas vlerave kombëtare e artistike, festivalet folklorike në vite janë lidhur me vetë jetën e qytetit të gurtë jugor e të banorëve të tij. Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968, në mjediset e kalasë së gurtë dhe që prej asaj kohe, ky festivali është zhvilluar çdo pesë vjet.

Vitet ‘70 mund të konsiderohen edhe si kulmi i pjesëmarrjes në këtë festival, ku pati më shumë se një mijë pjesëmarrës të përzgjedhur.

Festivali i Gjirokastrës ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike e ku deri në edicionin e vitit 1988 janë dhënë çmime për grupet më të mira, por në ato më të fundit u konceptua ndarja e vlerësimeve për bartësit dhe interpretuesit e folklorit.

Eshtë ngjarja më e rëndësishme dhe sofra më e madhe e trashëgimisë e kulturës shqiptare. Qëllim kryesor ka pasqyrimin e gjerë të gjinive të folklorit, krahas mbrojtjes e promovimit të vlerave më të mira muzikore, koreografike, etnografike, të krijuara prej shekujsh.