Aktualitet Sociale

Sot nis testimi për Mjekësinë, 400 maturantë do të përzgjidhen deri më 28 gusht!

Ditën e sotme zhvillohet testimi i informatizuar për maturantët që duan të ndjekin studimet në Mjekësi të Përgjithshme, në Fakultetin e Mjekësisë. Janë 1 mijë e 813 maturantë, të cilët pasi kanë aplikuar në sistem dhe kanë zgjedhur degën Mjekësi e Përgjithshme do të duhet të testohen  në ambientet e qendrës së shërbimeve arsimore.

Pikët e grumbulluara nga mesatarja e Maturës Shtetërore, që Fakulteti i Mjekësisë e kërkon mbi 8.5,  përbëjnë 70% të vlerësimit ndërsa pikët që do të marrin në testimin e sotëm përbëjnë 30% të këtij vlerësimi.

Ky testim që nis sot, zgjat deri në datën 28 gusht. Maturantët janë ndarë në grupe dhe janë përcaktuar oraret e testimit brenda të njëjtës ditë.  Duke qenë se testimi zhvillohet online dhe pyetjet janë me alternativa, maturantët do t’i marrin përgjigjet brenda ditës.

Nga 1 mijë e 813 maturantë që kanë aplikuar do të përzgjidhen mbi 400 studentë fitues. Ndërkohë që janë edhe kuotat për studentë nga diaspora e në total do të jenë 464 studentë që do të ndjekin vitin e parë në Mjekësi.

Për herë të parë, studentët që do të shpallen fitues për të ndjekur studimet në Mjekësi do të lidhin kontratë që pas studimeve të ofrojnë shërbim shëndetësor për 5 vite në vendin e tyre.

Ligji u miratua në seancën e fundit parlamentare, por ende nuk është dekretuar nga Presidenti i Republikës afati i fundit i të cilit është po të hënën, kur nis dhe dita e parë e testimit të informatizuar për maturantët.

Këtë vit u vu re një ulje e numrit të maturantëve që zgjodhën degën e Mjekësisë, një rënie me gati 40% nga viti i kaluar, kur aplikuan 3 mijë maturantë. Këtë reduktim, pedagogë të fakultetit e lidhën pikërisht me detyrimin ndaj mjekëve të rinj për të kontribuar për 5 vite në vendin e tyre.