Bota

Sot Amerika me president të ri; Senati nis gjykimin e Trump

Nën masa të shtuara sigurie, SHBA-ja po bëhet gati për inaugurimin e demokratit Joe Biden. Sot në mesditë me orën lokale dhe në 18:00 me orën tonë, Presidenti i zgjedhur amerikan nis rrugën e udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara. Ndërkaq paraardhësi i tij republikan Donald Trump në videomesazhin e lamtumirës bëri thirrje për t’u lutur për suksesin e administratës së re, për ta bërë më të begatë Amerikën.

Kreu në largim i Shtëpisë së Bardhë, do ta bojkotojë ceremoninë e inaugurimit të pasardhësit të tij, duke prishur traditën e rotacionit miqësor të pushteteve.

Ndërkohë mblidhet Senati për gjykimin e Donald Trump. Lideri i republikanëve Mitch McConnell fajësoi drejtpërdrejt presidentin amerikan në ikje dhe disa aleatë të tij për sulmin në Kongres. McConnell, një mbështetës i madh i Trumpit në katër vjetët e fundit, deklaroi se “turma ka qenë e ushqyer me gënjeshtra”dhe janë provokuar nga presidenti dhe persona tjerë me pushtet. Senatori nga Kentaki në dhomën e Senatit vlerësoi se Trump tentoi të përdorë dhunën dhe frikën për të ndalur kalimin e pushteteve.Me këtë fjalim, Senati përgatitet për shkarkimin me akuzat për “nxitje të kryengritjes” ndaj presidentit në ikje.

Ndërkaq pak orë nga lënia e detyrës, presidenti Donald Trump ka falur ish-këshilltarin e tij, Steve Bannon, në kuadër të valës së fundit të faljeve dhe ndryshimeve të dënimeve. Fati i Bannon, një këshilltar me ndikim te Trumpi, që e ka ndihmuar të menaxhojë fushatën presidenciale të vitit 2016, është vëzhguar me shumë vëmendje. Ai u përball me akuzat për mashtrim në shuma të mëdha me mbledhjen e fondeve për ndërtimin e murit  kufitar SHBA-Meksikë, të cilat Bannon i ka mohuar.

Ndërkaq, në total, Trump ka bërë 143 falje dhe ndryshime dënimesh për një numër të madh individësh, përfshirë një ish-mbledhës të fondeve republikan, një reper dhe një ish kryebashkiak.