Rajoni

Specialja: Salih Mustafa u detyrohet 207 mijë euro viktimave të tij!

Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë sot nxori një vendim, ku detyron ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, t’u paguajë 207 mijë euro viktimave të vrasjeve, ndalimit arbitrar e torturës.

Më 16 dhjetor 2022, Mustafa u dënua me 26 vjet burg nga Gjykata Speciale, i shpallur fajëtor për këto vepra të kryera në vitin ‘99, kur në Kosovë po zhvillohej luftë mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e forcave serbe. Salih Mustafa, i njohur si komandant Cali ishte drejtues i njësitit guerril BIA, brenda Zonës Operative të Llapit (ZOLL) të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në shpalljen e urdhrit për dëmshpërblim, gjykata caktoi tetë viktima, familjet e të cilëve apo ata vetë do të paguhen. Tre prej tyre kanë qenë të ndaluar në një qendër në Zllash e pësuan dëmtime fizike e mendore nga keqtrajtimi.

Atyre iu shkaktua edhe dëm material pasi keqtrajtimi iu ndryshoi rrjedhën e jetës dhe iu bëri të pamundur zhvillimin e një karriere. Secili do të marrë 80 mijë, 60 mijë e 30 mijë euro.

Në urdhër u përfshinë dhe familjarë të pesë viktimave. Tre do të marrin nga 10 mijë euro, ndërsa dy të tjerët, respektivisht dy e pesë mijë euro. Sipas vendimit të gjykatës, përgjegjësinë e pagesës së këtyre dëmeve e ka ekskluzivisht Salih Mustafa.

Ndërsa u konstatua se Mustafa nuk i zotëron mjetet për ta bërë pagesën, pritet përcaktimi i një autoriteti mbikëqyrës në lidhje me zbatimin e urdhrit për dëmshpërblim. Ky urdhër do të përcaktojë edhe më me detaje mundësitë financiare të Mustafës për të paguar dëmshpërblimin. Po ashtu, Buxheti i Shtetit, përmes Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë u përmend si opsion për të siguruar pagesën e viktimave.

Salih Mustafa i cili u deklarua i pafajshëm, duke hedhur poshtë çdo akuzë e ka quajtur gjykatën “zyrë të Gestapos”, referencë për shërbimin sekret policor të Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.