Bota

Stoltenberg flet për sfidat më të mëdha të NATO-s nga Lufta e Dytë Botërore!

NATO po përballet me sfidat më të mëdha prej Luftës së Dytë Botërore, pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë. Këtë e theksoi sot Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg duke shtuar se “Moska përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e vendeve anëtare të Aleancës”. Në nisje të ditës së dytë të samitit të NATO-s në Madrid, në të cilin pritet të miratohet strategjia e re për të ardhmen e Aleancës, Stoltenberg theksoi se aleatët takohen në “kohën e krizës më serioze”.

Samiti do të jetë historik dhe transformues. Ne do të deklarojmë qartë se Rusia përbën kërcënim për sigurinë tonë.

Përditësimi i fundit i politikave të NATO-s është bërë më 2010-ën.

Stoltenberg pret dhe ratifikim të shpejtë të marrëveshjes për anëtarësim të Suedisë e Finlandës në Aleancën ushtarake, pas heqjes së vetos nga ana e Turqisë.

Ne do të marrim vendim për të ftuar Suedinë dhe Finlandën, që të bëhen anëtare, kjo bëhet me shpejtësi të pashembullt.

Të dyja shtetet kanë aplikuar për anëtarësim në Aleancë në mesin e muajit maj.

Pas ftesës, duhet të ketë ratifikim të procesit në të 30-të parlamentet. Kjo zakonisht merr kohë, por unë pres që procesi të ecë shpejt, sepse vendet aleate janë të gatshme të veprojnë sa më shpejt që është e mundur.

Turqia është pajtuar që të heqë veton për anëtarësimin e të dyja këtyre shteteve në NATO, pas nënshkrimit të zotimeve nga Suedia e Finlanda për luftën ndaj terrorizmit.

Ankaraja kundërshtonte anëtarësimin e këtyre dy shteteve, duke i akuzuar për mbështetje të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe YPG-së, një milici kurde me bazë në Siri. Të dyja këto organizata i konsideron “terroriste”.

Më vonë gjatë ditës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të mbajë një fjalim, përmes video-lidhjes. Sot, Aleanca pritet të arrijë marrëveshje për të pozicionuar më shumë pajisje pranë Rusisë, përfshirë armët e rënda, të rrisë numrin e trupave të NATO-s në Europën Lindore dhe të forcave në gatishmëri të lartë nga 40 mijë në 300 mijë.