Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Aktualitet

Studiuesit australianë nisin provat për vaksinën që merret me spërkatje nga hunda!

Studiuesit australianë kanë filluar  provat klinike të një lloji të ri të vaksinës kundër COVID-19, një spërkatës në hundë. Shkencëtarët në Brisbane besojnë se trajtimi mund të jetë më i efektshëm kundër virusit sesa vaksinat e AstraZeneca-s dhe Pfizer-it dhe se do të mundësonte vaksinimin e pacientëve që kanë frikë nga gjilpërat.

Pavarësisht fushatave të bashkërenduara të shëndetit publik, programi i vaksinimit në Australi ka qenë i ngadaltë krahasuar me vendet e tjera. Australia është përballur me probleme të furnizimit, ankesa për planifikim të dobët nga ana e qeverisë ndërsa niveli relativisht i ulët i rasteve të koronavirusit ka rezultuar në vetëkënaqësi dhe hezitim në komunitet.

Australia po përshpejton fushatën e saj të imunizimit. Në të ardhmen, vaksinat mund të administrohen më lehtë – si një spërkatës në hundë i krijuar për të “sulmuar virusin” ndërsa ilaçi hyn në trup.

Dr. Paul Griffin, drejtor mjekësor në Rrjetin Nucleus, një organizatë kërkimore që po fillon provat e terapisë me spërkatësin në hundë, tha se ndërsa ilaçet e tjera kryesisht mbrojnë kundër shfaqjes së simptomave të rënda të COVID-19, kjo vaksinë synon të zvogëlojë rrezikun e infeksionit.

Një komision i pavarur i etikës në Australi ka miratuar provat klinike. Studiuesit thonë se spërkatësi në hundë mund të jetë i disponueshëm brenda një ose dy vitesh.