Bota

Sulm gjatë festimeve për Vitin e Ri Hënor, 10 viktima e disa të plagosur në Los Anxhelos!

Rikthehen sulmet me armë zjarri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Monterey Park të Los Anxhelosit të paktën 10 persona mbetën të vrarë dhe disa të tjerë u plagosën kur një burrë i armatosur rëndë hapi zjarr për shumë gjatë. Ai është në arrati. Gjithçka ndodhi gjatë festimeve për Vitin e Ri Hënor.

Të shtënat nisën në orën 22:00 të mbrëmjes me atë lokale apo 07:00 e mëngjesit me tonën dhe raportohet se policia amerikane ndërhyri shumë shpejt.

Los Angeles Times bën të ditur se mijëra njerëz ishin mbledhur për fillimin e një festivali dy-ditor, në një prej organizimeve më të mëdha me rastin e Vitit të ri Hënor në rajon.

Monterey Park është një qytet që numëron rreth 60 mijë banorë, kryesisht me popullatë aziatike dhe që gjendet afro 16 km larg Los Anxhelosit.

Pronari i një restoranti peshku në anën tjetër të rrugës ku ndodhi sulmi, i identifikuar si Seung Won Choi, tregoi se tre persona hynë në mjediset e këtij restoranti teksa përpiqeshin t’iu shpëtonin plumbave dhe i kërkuan të kyçte derën me çelës.

Festimet e Vitit të Ri Hënor të sferës kulturore të Azisë Lindore shënohen në të njëjtën datë dhe hëna e re bie midis 21 janarit e 20 shkurtit, bazuar në kalendarin hënor kinez. Me origjinë nga Festivali i Pranverës, festimet jashtë Kinës marrin forma të ndryshme, secila me interpretimet e veta të zodiakut kinez. Ky është Viti i Lepurit.