Bota

Sulm me viktima pranë një sinagoge në Tunizi!

Dy vizitorë dhe dy roje të sigurisë mbetën të vrarë nga një person që hapi zjarr pranë sinagogës më të vjetër në Afrikë, që ndodhet në ishullin Xherba të Tunizisë. Sulmi u shënua gjatë një pelegrinazhi të përvitshëm në këtë ishull, që mbledh vizitorë hebrenj nga vendet e Europës dhe nga Izraeli.

Paraprakisht, dyshohet se një roje qëlloi e vrau kolegun e tij, para se të hapte zjarr ndaj vizitorëve dhe forcave të sigurisë që ishin pranë sinagogës e më pas i dha fund jetës. Motivet e ngjarjes ende nuk janë të qarta.

Mësohet se mes viktimave është edhe një shtetas francez. Ndërkaq, katër vizitorë të tjerë e pesë anëtarë të forcave të sigurisë u plagosën.

Nuk është e qartë nëse vizitorët ishin apo jo pelegrinë që po vizitonin sinagogën Griba. Në disa video të publikuara online shihen njerëz duke ikur me nxitim ndërsa dëgjohen të shtëna.

Vitin e kaluar, më shumë se 5 mijë hebrenj morën pjesë në pelegrinazhin e sinagogës Griba, siç raportoi AFP, duke iu referuar të dhënave të organizatorëve vendas. Nuk është hera e parë që sinagoga e vjetër 2.500 vjeçare bëhet objekt i sulmeve.

Një sulm me bombë në vitin 2002, përgjegjësinë e të cilit e morën militantët e Al-Kaedës, la të vrarë mbi 20 persona në këtë ishull. Pelegrinazhi vjetor në Xherba, që gjendet rreth 500 kilometra nga kryeqyteti Tuniz është shoqëruar me masa të shtuara sigurie që nga sulmi me bombë i vitit 2002.

Tunizia është shtet me shumicë myslimane, por Xherba mbetet bazë kryesore e qindra hebrenjve.