Bota

Sulm në Damask, vriten zyrtarë të lartë iranianë!

Sulm ajror në kryeqytetin sirian, Damask, vriten katër zyrtarë të lartë të forcave të sigurisë së Iranit. Garda Revolucionare Islamike akuzoi Izraelin, që nuk ka komentuar. Prej vitesh, shteti hebraik po kryen sulme ajrore në shënjestrat e lidhura me Iranin në Siri. Të tilla sulme janë intensifikuar që prej nisjes së luftës Izrael-Hamas në Gaza.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe Bashkimit Europian. Figura të larta të Gardës Revolucionare janë prezente në Siri që prej nisjes së luftës civile atje, në vitin 2011. Kjo për të ndihmuar regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad, kundër rebelimit ndaj pushtetit të tij.

Sulmi i sotëm besohet se ka ndodhur në lagjen Mazzeh, në jugperëndim të Damaskut, një zonë ku gjenden aeroporti ushtarak, selia e Kombeve të Bashkuara në Damask, disa ambasada, si dhe restorante. Lindja e Mesme është në alarm që prej datës 7 tetor, kur Hamasi kreu sulme ndaj jugut të Izraelit, duke vrarë të paktën 1 mijë e 200 persona, kryesisht civilë. Po ashtu morën peng 240 të tjerë.

Për pasojë, Izraeli ka nisur luftën në Gaza dhe sipas autoriteteve shëndetësore atje, mbi 24 mijë njerëz janë vrarë prej ofensivës ajrore dhe tokësore izraelite. Konflikti ka rritur shqetësimet për përhapje të luftës në rajon, sidomos mes rivalëve siç janë Izraeli me Iranin.

Siç dihet, Teherani zyrtar gëzon mbështetjen e disa grupeve në Lindjen e Mesme, përfshirë të Hamasit në Gaza, si edhe Hezbollahut në Liban e rebelëve Huthi në Jemen e që sulmojnë anijet tregtare ndërkombëtare në Detin e Kuq.

Ky vend gëzon mbështetjen e disa grupeve edhe në Irak e Siri. Muajin e kaluar, ai që dyshohet se ka qenë sulm ajror izraelit jashtë Damaskut, la të vdekur një komandant të lartë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.  Teherani u zotua për hakmarrje të ashpër.