Bota

Sulmet ruse në lindje të Ukrainës, 8 të vrarë!

Rusia nuk i ndal sulmet me dronë në disa rajone të Ukrainës. Orët e fundit u vranë tetë persona, përfshirë katër në rajonin e Harkivit, ku u goditën dy godina banimi nga një sulm i dyfishtë, të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti të “neveritshëm”. Tre nga katër të vrarët në Harkiv ishin punonjës të ekipeve të shpëtimit, të cilët shkuan në vendin e ngjarjes pas sulmit të parë. Lajmin e konfirmoi guvernatori i këtij rajoni, Oleh Synyehuvov.

Të paktën 12 vetë u plagosën, tre prej tyre janë në gjendje të rëndë.

“Sulmi cinik dhe i neveritshëm, kur ekipet e shpëtimit shkuan në vendin e ngjarjes, terroristët sulmuan përsëri”, shkroi Zelensky në X.

Yevhen Vasylenko, zëdhënës i Shërbimit Emergjent Shtetëror, i tha Radios Evropa e Lirë se ekipet e shpëtimit u përpoqën t’i shpëtonin njerëzit e bllokuar në një ndërtesë më të vogël në afërsi kur armiku goditi përsëri me dronë. Ai shtoi se ekipet e shpëtimit ia dolën ta shpëtojnë një person të mbetur nën gërmadha.

Zakonisht, pjesëtarët e ekipeve të shpëtimit strehohen kur ka kërcënim për sulm të dytë, por një person kishte mbetur nën rrënoja dhe i nevojitej ndihma, ndaj ishte e domosdoshme të veprohej menjëherë.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi se 20 dronë sulmuan vendin gjatë natës mes 3 dhe 4 prillit e se 11 prej tyre u penguan nga forcat kundërajrore. Në rajonin lindor të Donjeckut u vranë dy vetë nga zjarri i artilerisë ruse.

Një sulm tjetër vrau një burrë në një traktor në rajonin e Harkivit ndërsa një elektricist humbi jetën nga një sulm me bombë në rajonin Sumi, njoftoi Ministria e Energjisë e Ukrainës.

Instituti për Studimin e Luftës, me bazë në SHBA paralajmëroi se Rusia mund t’i  intensifikojë sulmet raketore e me dronë kundër infrastrukturës civile të Ukrainës, sidomos kundër rrjetit energjetik, për t’i bërë “presion shtesë Ukrainës që t’i zhvendosë kundërajrorët larg vijës së frontit”.

Rusia e ka mohuar prej fillimit të pushtimit në shkurt 2022 se i sulmon civilët, por qytetet ukrainase dhe infrastruktura civile janë goditur vazhdimisht nga sulmet raketore e me dronë. Sipas një raporti në muajin shkurt të organizatave ukrainase e ndërkombëtare të bamirësisë, së paku 10.500 civilë ukrainas janë vrarë nga “bombardimet e vazhdueshme, minat dhe dronët”, në dy vitet e fundit.