Bota

Sulmi rus në centralin bërthamor Zaporizhzhia, nuk ka rritje të niveleve të rrezatimit!

Trupat ruse kanë marrë kontrollin e centralit bërthamor, Zaporizhzhia në juglindje të Ukrainës, njëherazi më i madhi në Europë. Siç bën të ditur agjencia e lajmeve Reuters referuar autoriteteve ukrainase, “Personeli operacional po vëzhgon gjendjen e njësiteve të energjisë”. Nuk raportohet rritje e niveleve të rrezatimit. Stafi vijon punë, që të mos ketë probleme teknike. Nga bombardimet, aty pati edhe një zjarr që më pas u shua. Centrali prodhon mbi një të pestën e energjisë në Ukrainë.

Një protokoll i Konventës së Gjenevës kufizon sulmet ushtarake në objektet bërthamore. Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, iu bëri thirrje europianëve “të zgjohen!”. Presidenti amerikan Biden iu bashkua homologut Zelenskiy për t’i bërë apel Rusisë, të ndalë aktivitetet ushtarake në zonë. Zyra e kryeministrit britanik, Boris Johnson tha se “veprimet e pamatura të presidentit rus, Vladimir Putin mund të rrezikojnë sigurinë e gjithë Europës”.

Liderët në Çeki ranë dakord të lejojnë qytetarët çekë të luftojnë në Ukrainë kundër pushtimit rus, që sot hyri në ditën e 9-të. Në këtë rast u bë një përjashtim pasi ligji e ua ndalon shtetasve të Çekisë të shërbejnë për një ushtri të huaj. Zelenskiy u ka bërë thirrje europianëve me përvojë ushtarake të mbështesin Kievin kundër pushtimit rus. Rreth 400 vullnetarë shprehën gatishmëri.

Shtetasit ukrainas që ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të lejohen të qëndrojnë nën një kategori të veçantë “jo emigrantësh”. Qeveria pritet të zgjasë Statusin e Mbrojtjes së Përkohshme. Rreth 30 mijë ukrainas që në Amerikë hynë para datës 1 mars, përfitojnë nga ky vendim i Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Ata mund të qëndrojnë e punojnë në Amerikë për një periudhë të përkohshme deri në 18 muaj.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të mblidhen sot në një takim të jashtëzakonshëm në Bruksel, në fokus: situata në Ukrainë. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të qëndrojë në Europë për një seri takimesh me NATO-n dhe aleatët e tjerë, lidhur me përgjigjen ndaj agresionit rus. Ndërkaq nesër, Blinken udhëton për në Poloni për të diskutuar mbi sigurinë e ndihmën humanitare për refugjatët e ikur nga Ukraina.