Aktualitet

Takim me sekretaren Braverman, ministri Çuçi: Amnistoni shqiptarët pa viza që punojnë me ndershmëri në Britani!

Bashkëpunimi dypalësh për të adresuar çështje si emigracioni i paligjshëm e krimi i organizuar, në fokus të një takimi të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi me homologen britanike, Suella Braverman në Home Office.

Me homologen britanike Suella Braverman diskutuam mbi bashkëpunimin dypalësh për të adresuar çështje komplekse si emigracioni i paligjshëm dhe krimi i organizuar, fenomene transnacionale që kurrsesi nuk mund të identifikohen me etni të caktuara. Ndava me homologen time shqetësimin se është e patolerueshme që komuniteti shqiptar të veçohet dhe stereotipizohet vetëm nga disa personazhe të botës ilegale.

Ministri i Brendshëm i bëri një propozim konkret homologes britanike, për të amnistuar shqiptarët që janë pa viza në Mbretërinë e Bashkuar, por që punojnë ndershmërisht dhe nuk kanë rekorde kriminale në ngarkim.

Qasja jonë është se emigracioni i paligjshëm nuk mund të adresohet si problem, pa përmirësuar kushtet e emigracionit përmes rrugëve të ligjshme. Në këtë pikë, homologes Braverman i kërkova që të shikojnë edhe njëherë regjimin e trajtimit të shtetasve shqiptarë të cilët jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe, për t’i lehtësuar në raport me mundësi të reja punësimi apo lëvizjet sezonale. Po ashtu i kërkova të amnistojmë çdo shqiptar pa vizë, por që punon në mënyrë të ndershme e nuk ka rekorde kriminale në ngarkim.

Më herët këtë javë, në Londër ishte për një vizitë kryeministri Rama, i cili emigrimin e shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe e lidh me nevojën e tregut britanik për punëtorë. Rama tha se “problemi nuk qëndron te shqiptarët që mbërrijnë në Britani”, por te fakti se disa përdoren në “ëndrrat dhe shpresat e tyre nga kriminelët”. “Gjithnjë kemi thënë se na duhet të ndërtojmë një portë të përbashkët operative për të goditur rrjetet kriminale”, – theksoi kryeministri.

Ndërkaq, ai bëri të qartë se nuk ka probleme se kufijtë e Britanisë mbyllen, por ritheksoi rëndësinë që mos t’i lënë të rinjtë shqiptarë të përdoren nga kriminelët.

Komuniteti shqiptaro-britanik është fantastik, ndërsa kriminelët shqiptarë nuk e sollën krimin e drogën, por tregun e gjetën këtu. Nëse homologët britanikë na dëgjojnë, kjo do të jetë shumë e suksesshme. Por, t’i veçosh shqiptarët, nuk është e drejtë!

Nëntorin e kaluar, ministrja e Brendshme britanike, Suella Braverman i konsideroi “kriminelë”, shqiptarët që shkojnë në Britani me gomone.