Aktualitet

Takimi i liderëve të Ballkanit me Borrell, BE do të ndihmojë për sigurinë kibernetike!

Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që po zhvillon punimet në Nju Jork, kryediplomati europian Josep Borrell mblodhi liderët e Ballkanit Perëndimor, mes tyre kryeministrin Edi Rama. Në fokus, ndikimi në rajon i luftës ruse në Ukrainë. Borrell premtoi se BE-ja do të mbështesë Ballkanin. “Bashkimi Europian dhe Ballkani Perëndimor do të qëndrojnë së bashku në përballjen me sfidat nga lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës. BE-ja përfshin Ballkanin Perëndimor në nismat për të zbutur ndikimet e luftës”, – thuhet në njoftimin e Unionit.

Përfaqësuesi i Lartë Borrell dhe liderët e Ballkanit Perëndimor diskutuan se si do të mund të adresojnë së bashku pasojat dëmtuese të kësaj lufte mbi çmimet e ushqimit dhe energjisë e të stabilitetit dhe sigurisë në Europë e botë.

Më tej, zyrtari europian u premtoi shteteve të rajonit se Blloku do t’i ndihmojë në sfidën energjetike, si dhe për sigurinë kibernetike, nisur nga fakti që Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut, kohët e fundit kanë qenë subjekt i sulmeve të hakerave.

Po në Nju Jork, shefi i qeverisë Rama zhvilloi një takim me të dërguarin e Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili në një postim në Twitter shkruan:

Pata një takim shumë të dobishëm me Edi Ramën, në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ne diskutuam situatën në Ballkanin Perëndimor. Mirënjohës për njohuritë dhe mbështetjen e tij për dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Për dy javë, sesioni i 77-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara bën bashkë liderë botërorë, aktivistë të shoqërisë civile, protagonistë të sektorit privat e të rinj nga e gjithë bota, në samite të ndryshme, debate dhe dialog.

Gjatë kësaj vizite, kryeministri Rama do të zhvillojë një sërë takimesh me drejtues të lartë të OKB-së, liderë, politikanë e personalitete të fushave të ndryshme. Po ashtu do t’i adresohet me një fjalë Sesionit të 77-të të Asamblesë.