Bota

Të gjithë kundër Rusisë/ Ferrari dhuron 1 milion euro për Ukrainën

Çdo ditë sjell zhvillime të reja edhe në raportin e sportit në lidhje me sulmin e Rusisë në Ukrainë. Reagime individuale sportistësh dhe ish-sportistësh, veçanërisht nga ata ukrainas dhe rusë, por edhe qëndrime zyrtare institucionesh të rëndësishme.

E përbashkëta është se e gjithë bota e sportit po i kthen shpinën Rusisë, duke e lënë jashtë të gjitha aktiviteteve ndërkombëtare dhe duke prishur kontrata të mëparshme, ndërsa mbështetja për Ukrainën, morale dhe ekonomike, sa vjen dhe shtohet.

Premier Liga ka prishur së fundi akordin me partnerin e saj rus të transmetimit pas ngjarjeve të fundit. “Premier Liga dhe klubet e saj kanë vendosur në unanimitet të pezullojnë akordin me partnerin televiziv rus ‘Rambler’ me efekt të menjëhershëm dhe të dhurojë 1 milion stërlina për të ndihmuar popullin ukrainas”, – shkruhet në njoftimin zyrtar.

Ndihmë ekonomike për Ukrainën ka vendosur të japë edhe Ferrari, skuderia e njohur italiane e automobilizmit. Një milion euro për të mbështetur popullin ukrainas, për projektet humanitare ndërkombëtare dhe për pritjen e refugjatëve nga Ukraina. Po ashtu, Ferrari ka vendosur të ndërpresë prodhimin e makinave për tregun rus.

“Ferrari është afër popullit ukrainas në këtë moment të tmerrshëm, – ka deklaruar Benedeto Vinja, CEO i Ferrarit. – Teksa shpresojmë për një zgjidhje paqësore sa më të shpejtë, nuk mund të qëndrojmë indiferentë përballë vuajtjeve të qytetarëve ukrainas. Jemi solidarizuar me ta dhe jemi gati të bëjmë pjesën tonë të vogël në këtë situatë, duke ndihmuar konkretisht në kalimin e dramës humanitare”.