Bota

A kanë frikë shqiptarët nga lufta e nisur mes Rusisë dhe Ukrainës?! Ja përgjigjet e sondazhit…

Kjo është dita e 15-të e konfliktit ruso-ukrainas. Sipas shifrave të Kievit zyrtar, nga fillimi i agresionit rus kanë humbur jetën 52 fëmijë. Agjencia Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve, Save dhe Children, vlerëson se 800 mijë të mitur janë në mesin e dy milion personave që kanë ikur nga Ukraina, prej nisjes së pushtimit rus. Shumë prej tyre e vijojnë rrugën e largimit, të pashoqëruar.

Dy javë pas fillimit të sulmit ndaj Ukrainës sot u zhvilluan bisedimet e para në nivel qeveritar mes Rusisë dhe Ukrainës. Takimi i ministrave të jashtëm Sergej Lavrov dhe Dmytro Kuleba u planifikua në prani të ministrit të Jashtëm turk, Mevlyt Çavusoglu në kuadër të të ashtuquajturit forumi i diplomacisë në rajonin turistik Antalja.

Për fat të keq, Kievi dhe Moska nuk arritën përparim sa i përket një armëpushimi të mundshëm në Ukrainë, ku luftohet prej 24 shkurtit kur presidenti Vladimir Putin shpalli nisjen e operacionit ushtarak special për çmilitarizimin e fqinjit. Në përfundim të takimit të sotëm në Antalia të Turqisë, ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, konfirmoi se me homologun Sergey Lavrov, nuk u arrit ndonjë progres lidhur me armëpushimin. Kuleba tha se shpreson se Rusia do të lejojë funksionimin e korridoreve humanitare, si dhe u shpreh i gatshëm për të tjera takime në të ardhmen.

Lidhur me situatën e agravuar që tashmë po ndikon në të gjithë botën, ne në Top Albania Radio para pak ditësh ngritëm një sondazh ku kemi pyetur ndjekësit në rrjet nëse kanë frikë nga lufta që ka nisur mes Rusisë dhe Ukrainës. Deri më tani përgjigjet kanë qenë këto: 77% e qytetarëve janë përgjigjur se po, kanë frikë. Nga ana tjetër 15% janë përgjigjur se nuk kanë frikë, teksa 8% kanë shprehur një mosinteresim lidhur me situatën aktuale.

Ndërkohë, eksportet e thekrës, elbit, miellit, mjaltit, sheqerit, kripës dhe mishit do të ndalohen nga Ukrainë deri në fund të këtij viti. Kështu raportojnë disa media ndërkombëtare duke cituar një dokument nga qeveria e Kievit.

Ukraina, eksportuesi i katërt më i madh i ushqimit në botë, sipas “Politico”-s përbën rreth 20% të importeve të grurit të BE-së, që mund të nënkuptojë një sërë mangësish ushqimore në të gjithë kontinentin për shkak të ndalesës. Kievi ofron shumë artikuj të tjerë ushqimorë, përfshirë 80% të mjaltit. Për shkak të ndalimit, çmimet në të gjithë botën mund të fillojnë të rriten duke nisur që nga buka. Produktet ushqimore të një rëndësie të vogël do të vazhdojnë të eksportohen nga Ukraina.