Aktualitet Sociale

Të punosh pa para’/Punësimi pa pagë u rrit dy herë më shumë se te ata me pagë më 2022!

Treguesit e punësimit janë përmirësuar më tej vitin e kaluar, por të dhëna të detajuara nga INSTAT-i tregojnë se në biznesin e familjes, punësimi pa pagë është zgjeruar shumë më tepër se punësimi me pagë. Në Anketën e Forcës së Punës që mat treguesin zyrtar të punësimit, si të punësuar konsiderohen dhe personat e angazhuar në bizneset e familjes, por që nuk paguhen.

Më 2022-shin u raportuan 279,542 të punësuar në biznesin e familjes pa pagë ose 28 mijë persona më shumë se në vitin 2021. Nga ana tjetër, numri i të punësuarve me pagë arriti në 610,774 vetë më 2022-shin apo 12,898 më shumë se në vitin 2021.

Punësimi pa pagë është rritur dy herë më shumë se punësimi me pagë dhe është kontribuuesi më i madh në rritjen e punësimit, vitin e kaluar.

Të vetëpunësuarit pa pagë në bizneset e familjes përbëjnë 20% të totalit të punësimit dhe bëjnë pjesë në kategorinë e vetëpunësimit. Numri i personave të vetëpunësuar arriti në rreth 408 mijë në vitin 2022, por shumica e tyre, rreth 68% ishin të punësuar pa pagë.

Më herët, analizat mbi informalitetin në tregun e punës tregojnë nivele të larta të punës në të zezë te të vetëpunësuarit. Sektori më vetëpunësimin më të madh pa pagë është bujqësia.

Analiza e punësimit sipas grup-profesioneve reflekton strukturën e punësimit sipas sektorëve.

Në vitin 2022, punonjësit e kualifikuar të bujqësisë e të lidhur me tregtinë, përbëjnë 46,2% të të punësuarve, të ndjekur nga grupet: “Menaxherë, profesionistë dhe teknikë” dhe “Nëpunës dhe punonjës të shitjeve dhe shërbimeve”, të cilët përbëjnë 20,4% e 18,6% të të punësuarve përkatësisht.

Sipas vlerësimeve të anketës për vitin 2022, rezulton se për grup-moshën 15 vjeç e lart, 47,0% e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 31,5% janë të vetëpunësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 21,5% janë punëtorë pa pagesë, në biznesin e familjes

Krahasuar me vitin 2021, punësimi është rritur me 3,0%, ndërsa shkalla e papunësisë për grup-moshën 15-74 vjeç është ulur me 0,6 pikë përqindje gjatë vitit të kaluar.

Rreth 65,0% e popullsisë 15-64 vjeç është e punësuar, 8,2% është e papunë dhe 26,8% është ekonomikisht jo aktive (jashtë forcave të punës).

Më shumë se 71% e meshkujve 15-64 vjeç ishin të punësuar, 8,7% ishin të papunë dhe 20,0% ishin jashtë forcave të punës.

Rreth 60% e femrave 15-64 vjeç janë të punësuara, 7,8% janë të papuna dhe 33,3% janë jashtë forcave të punës./Monitor