Politikë

“Të qeshësh e të qash me lot”, Rama i përgjigjet opozitës për SPAK-un: Nuk ma mbyllin gojën non gratat

Kryeministri Rama ka reaguar sërish në lidhje me deklaratat e tij të sotme për SPAK-un. Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës se ai ka kërcënuar institucionet e drejtësisë.

Postimi në rrjete sociale i kryeministrit Rama!

“Të qeshësh e të qash me lot! Paskam kërcënuar SPAKUN sipas ‘nongratave’ që betoheshin se edhe Flota e Shtatë Amerikane po t’i drejtonte tytat nga Lalzi nuk do ta votonin Reformën në Drejtësi! Për mua e për PS, SPAKU rron e punon pa gajle 100 vjet dhe bujrum, derën tonë e ka hapur!

Por gojën nuk kemi për ta mbyllur, që SPAKU të mos godasë njëanshmërisht, po gjithanshmërisht! Roli i mumjes, përballë rreshtit të gjykatësve e të prokurorëve, që Vetingu i nxorri katran me bojë apo mbi dosjet e skandaleve legjendare të krimit shtetëror, nuk mund të tolerohet më”, ka shkruar Rama.

Më herët ish-kryeministri Berisha deklaroi se “hajduti mbron hajdutin apo binomi Rama-Dvorani!”. Fjalimin e Ramës në Asamblenë Socialiste ku kritikoi SPAK-un, Berisha e cilësoi “ligjërate të denjë për bodrumet e mafies”. Sipas tij, “Edi Rama sulmon SPAK-un e partisë për hetimin që ky organ guxon t’i bëjë famozit Dvorani, i cili gjatë vetting-ut doli se kishte fshehur 82 mijë euro”.

Në një dalje nga Selia Blu, deputeti demokrat Belind Këlliçi reagoi sot për kritikat e kryeministrit Rama ndaj SPAK-ut, duke i interpretuar si “mesazhe të koduara”. Këlliçi tha:

Sulmi i përsëritur i Ramës kundër SPAK-ut, ka të bëjë me Edi Ramën dhe të korruptuarit që e rrethojnë atë. Kjo edhe në bazë të një sërë informacionesh të besueshme, në lidhje me disa hetime ndërkombëtare rreth personit të tij.

Sulmi i tij është mesazh i koduar ndaj SPAK-ut që të tërhiqet nga çështjet që prekin Ramën dhe njerëzit e tij. Kjo në botën perëndimore konsiderohet vepër penale dhe dënohet rëndë. Sulmi i sotëm është treguesi se Ramës i ka ardhur fundi. I vetmi turp i SPAK-ut do të ishte nëse i nënshtrohet dhunës së kryeministrit. Turp do të ishte që Rama dhe qeveria e tij, të mos ndëshkoheshin!

Më herët gjatë ditës së sotme ishte deputeti tjetër demokrat, Ervin Salianji, i cili kritikat e Ramës për SPAK-un, i quajti “sulm ndaj drejtësisë”. Në rrjetet sociale, Salianji postoi këtë reagim:

Kush e ka frikësuar KM aq sa të sterrojë dhe ti nxjerrë dhëmbët drejtësisë deri në kërcënimin me skualifikimin e SPAK?! Një Asamble Socialiste e organizuar për shoën e Ramës në sulmin ndaj drejtësisë, SPAK dhe partnerëve! Kush e ka frikësuar KM aq sa të sterrojë dhe t’i nxjerrë dhëmbët drejtësisë deri në kërcënimin me skualifikimin e SPAK?!

Çdo strukturë e drejtësisë në Shqipëri ka detyrimin të kontrollojë dhe të nxjerrë para përgjegjësisë të korruptuarit, abuzuesit, shpërdoruesit e pushtetit që janë në pushtet, që qeverisin dhe që e kanë bërë Shqipërinë të nxijë në çdo raport ndërkombëtar! Drejtësia duhet t’i qëndrojë përballë presionit mafioz që kërkon ta intimidojë! Axhendën e drejtësisë nuk mund ta diktojë Rama dhe Partia Socialiste!

Lajm në përditësim…