Bota Food & Drink Health & Beauty

Të shqetësuar se fëmijët po konsumojnë më pak fruta e perime? Mos iu kërkoni të hanë shpejt!

Konsumimi i ulët i frutave e perimeve po rrit rrezikun e sëmundjeve kronike jo ngjitëse në mbarë botën. Fakt i konfirmuar edhe nga studiuesit e fushës është se gjithnjë e më shumë, fëmijët marrin më pak fruta e perime, madje shumë më poshtë edhe se sasia e rekomanduar.

Për më tepër, nxitimi nuk është aspak një mik i ushqimit të shëndetshëm, sipas një studimi të koordinuar nga Instituti Max Planck për Zhvillimin Njerëzor, i publikuar në Jama Network Open. Sipas dokumentit, vaktet më të gjata se dhjetë minuta e që nuk i nënshtrohen presionit të kohës, i nxisin fëmijët të hanë më shumë fruta e perime, pa pasur pasoja në konsumimin e të tjera ushqimeve.

Ekipi testoi ndikimin e gjatësisë së vaktit në ushqim duke përfshirë 50 çifte prind-fëmijë. Të gjitha çiftet u vëzhguan në kontekstin e dy vakteve që ishin identike në të gjitha, me përjashtim të kohëzgjatjes.

Në vaktin e parë, shoqëruesit njoftuan se do të pastronin tryezën pas një kohe të barabartë me kohëzgjatjen tipike të vakteve të tyre në shtëpi (mesatarisht, rreth 20 minuta). Në të dytin, koha u rrit me 50% (afërsisht 10 minuta shtesë).

Kur kishte më shumë kohë në dispozicion, u pa se fëmijët prireshin që të hanin më shumë fruta, pa rritur konsumin e ushqimeve të tjera. Po ashtu, ata hanin më ngadalë e raportuan një ndjenjë më të madhe të ngopjes në fund të vaktit.

Këto janë rezultate të rëndësishme. Rritja e konsumit të frutave korrespondonte me afërsisht një porcion ose 100 gramë më shumë. Ky rezultat ka një rëndësi praktike për shëndetin publik sepse një racion shtesë ditor ul rrezikun e sëmundjes kardiometabolike me 6 deri në 7%. Për më tepër, vaktet më të gjata familjare u shoqëruan me ritme më të ngadalta të ngrënies, rritje të ngopjes dhe rrezik më të ulët të obezitetit tek fëmijët.