Bota

Të shtëna me armë në një lokal gay në Oslo të Norvegjisë, dy viktima!

Në Oslo, të paktën dy persona humbën jetën nga të shtënat me armë zjarri në një diskotekë. Sipas policisë së kryeqytetit norvegjez, disa të tjerë mbetën të plagosur e janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Të shënat ndodhën në një lokal të frekuentuar nga homoseksualë e që po mbipopullohet këto ditë edhe për shkak të paradës Oslo Pride. Ndërsa policia ndaloi një të dyshuar, një grua dëshmitare tregon:

Dukej një skenë lufte, me shumë njerëz të shtrirë në tokë e me plagë në kokë. Vrasësi ishte tepër i vendosur dhe i përqendruar, sidomos për pjesën ku duhej të shënjestronte. Kur e kuptova se ishte diçka serioze, arrita të largohesha. Një burrë qëndronte i shtrirë në tokë, mes një pellgu gjaku.

Të shtënat me armë zjarri u shënuan rreth orës 01:00 pas mesnate, në një zonë ku ndodhen klubi gay London Pub, ai i xhazit Herr Nilsen, si dhe një dyqan ushqimor.

Bilanci zyrtar i policisë norvegjeze konfirmon dy viktima e 14 të plagosur. Autorit të dyshuar iu sekuestruan dy armë, ndërsa u arrestua në kohë rekord.

Hetimet e deritanishme tregojnë se gjithçka u krye nga një person i vetëm, i cili nuk duket të ketë patur bashkëpunëtorë. Tashmë, autoritetet policore në kryeqytetin e Norvegjisë duhet të kujdesen të shtojnë masat e sigurisë për të garantuar mbarëvajtjen e paradës Oslo Pride, e planifikuar për t’u zhvilluar paraditen e sotme.