Sport

Tekniku italian Reja bën revolucion ndaj Estonisë, publikohet formacioni zyrtar

Shqipëria përballet prej orës 18:00 me Estoninë në “Air Albania”. Një ndeshje miqësore që do i shërbejë trajnerit Edy Reja për të aktivizuar ata që kanë pasur më pak minuta.

Italiani ka bërë disa ndryshime në formacion. Selmani luan në portë, kurse në mbrojtje Mihaj, Bajrami e Hoxhallari.

Hysaj luan sërish majtas, kurse në të djathtë Veseli. Në qendër të mesfushës janë Çekiçi, Ramadani dhe Çokaj, kurse në sulm Seferi e Vrioni.

Shqipëria (3-5-2): Selmani; Bajrami, Mihaj, Hoxhallari; Veseli, Çokaj, Ramadani, Çekiçi, Hysaj; Seferi, Vrioni.

Ndaj Estonisë do të luajmë për herë të katërt. Asnjëherë më parë nuk jemi ndeshur me të në ndeshje zyrtare, por vetëm në miqësore. Sfida e parë përkon në vitin 2003. Kuqezinjtë fituan 2-0 në kryeqytetin shqiptar, falë golave të Adrian Aliajt dhe Alban Bushit. Një vit më pas do të dilnim të pamposhtur nga transferta estoneze, (1-1) me golin tonë që e realizoi Adrian Aliaj. Ndeshja e fundit është luajtur në vitin 2009, sërish në transfertë. Dueli përfundoi në barazim të bardhë 0-0.

Muajin e kaluar u bë e ditur se Federata Shqiptare e Futbollit arriti akordin me Federatën Estoneze, që ky takim të luhet në datën 13 qershor 2022 në stadiumin “Air Albania” të Tiranës, duke nisur nga ora 18:00. Më parë, në këtë datë ishte planifikuar që Shqipëria të luante ndaj Rusisë në Ligën B të Nations League, por pas vendimit të UEFA-s për pezullimin e Moskës, si rezultat i pushtimit të Ukrainës e që vijon prej 24 shkurtit, FSHF-ja vendosi që të shfrytëzonte këtë datë zyrtare për të organizuar një miqësore.