Aktualitet

Temperaturat e larta rikthejne zjarret, vatra në Fier e Berat!

Temperaturat e larta kanë kthyer zjarret në vend. Edhe në fshatin Jakodin të bashkisë Roskovec në Fier, një zjarr ka përfshirë tokat me bar dhe parcelat me grurë.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të bashkisë Roskovec ndërsa në ndihmë ishin edhe ato të Patosit e të Fierit pasi flakët kanë prekur rreth 20 hektarë sipërfaqe toke dhe janë djegur dhjetëra koshere bletësh.

Nga zjarri që mund të përhapet nga era, janë pranë disa banesa dhe rrezikohen stalla pularish.

Ndërkaq një magazinë e cila shërbente për ruajtjen e ushqimit të bagëtive, me silazh dhe jonxhë në lagjen ‘Uznovë’ është përfshirë nga flakët.

Magazina rezulton shumë pranë dy fabrikave dhe banesave çka ka bërë që përhapja e flakëve ka trembur banorët. Ende nuk dihet shkaku i rënies së zjarrit, por ka pasur një ndërhyrje të shpejtë nga zjarrfikësit.

Si pasojë e zjarrit u shkrumbuan totalisht brenda magazinës 60 bala me ushqim për kafshët, jonxhë e foragjerë, rezervat e ushqimeve të banorëve të zonës për të ushqyer bagëtitë gjatë stinës.

Ende nuk dihet nëse zjarri ka qenë i qëllimshëm apo jo, ndërkohë që po punohet për zbardhjen e shkaqeve të tij.

Magazina e përfshirë nga flakët ndodhej pranë Fabrikës së lëkurëve dhe një fabrike të prodhimit e përpunimit të sallamit, që fatmirësisht nuk patën asnjë problem pasi forcat zjarrfikëse bënë të mundur lokalizimin e flakëve në 30 minuta.