Sport

Tenisti Novak Xhokoviç, sërish në qendër ndalimi në Australi!

Novak Xhokoviç rikthehet në qendrën e ndalimit për emigrantë në Australi, pasi për të dytën herë, qeveria i anuloi vizën, për shkelje të rregullave anti-COVID. Tenisti serb i cili kërkon të marrë pjesë në “Australian Open” nuk është vaksinuar, me pretendimin se e ka kaluar COVID-in pak kohë më parë. Por, në Australi nuk lejohen të pavaksinuarit dhe 34-vjeçari e ka apeluar vendimin e autoriteteve.

Nesër në mëngjes, fjalën e fundit e ka një trupë me tre gjyqtarë e Gjykatës Federale. Në fillim të javës që po lemë pas, një gjyqtar në Melburn vendosi në favor të Xhokoviçit, duke urdhëruar daljen e tij nga qëndra e ndalimit dhe rikthimin e vizës. Por, ministri për Emigracionin, Alex Hawke përdori fuqinë e ligjit për t’i hequr vizën e nëse nuk fiton nesër betejën gjyqësore, ylli i tenisit, i njohur për qëndrimet kundër vaksinimit, rrezikon dëbimin nga territori australian. Në Australi, zyrtarët e përshkruajnë si “figurë kyçe” për kundërshtarët e vaksinimit dhe katalizator të trazirave të mundshme, që duhet të largohet, në emër të interesit publik.

Ministri Alex Hawke:

Prania e Xhokoviçit në Australi mund të nxisë ndjenjën kundër vaksinimit. Ai mund t’i inkurajojë njerëzit të shkelin rregullat shëndetësore me praninë këtu, mund të çojë në trazira civile.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç akuzoi Australinë “për keqtrajtim” të yllit më të madh të vendit dhe një heroi kombëtar.

Nëse donit ta ndalonit Novak Xhokoviçin të fitonte trofeun e 10-të në Melburn, pse nuk e kthyet menjëherë, pse nuk i thatë se nuk është e mundur të marrësh vizë? Novak, ne jemi pranë teje!

9 herë fitues i “Australian Open”, tenisti serb shpreson të mbrojë titullin javën e ardhshme, që të arrijë rekordin prej 21 titujsh Grand Slam. Vendimi për anulimin e vizës vjen pasi 34-vjeçari foli rreth pretendimeve se bëri deklarime të rreme në formularin e udhëtimit duke mohuar një udhëtim në Spanjë, të kryer para se të udhëtonte drejt Australisë. Ai foli për “gabim njerëzor”.