Bota

Tentoi të hidhte në erë ministrinë e mbrojtjes, Irani ekzekuton “agjentin e Mossad”

Irani njoftoi sot se ka ekzekutuar një spiun të Izraelit që akuzohej se kërkonte të kryente një akt terrori në vend. Pa dhënë shumë detaje mediat shtetërore thonin se agjenti i ekzekutuar kishte tentuar të vendoste bombë në ministrinë e mbrojtjes.

Zhvillimi vjen pasi Irani ekzekutoi kater burra për të cilët tha se kishin lidhje me të njëjtin atentat muajin e kaluar, shkruan e përditshmja britanike TheSun.

Katërshja besohet se ishin stërvitur nga inteligjenca izraelite në një shtet afrikan para se të hynin në Iran nga rajoni i Kurdistanit në Irakun fqinjë.

Ata u identifikuan si shtetasit iranianë Mohammad Faramarzi, Mohsen Mazloum, Vafa Azarbar e Pejman Fatehi.

Rrjeti shtetëror vendas IRNA tha se kishin tentuar të godisnin një fabrikë të përfshirë në prodhimin e armatimeve dhe pajisjeve të mbrojtjes.

Operacioni pretendohet se drejtohej nga agjencia izraelite Mossad, dhe ishte planifikuar për t’u realizuar në 2022, para se plani të prishej prej zbulimit nga inteligjenca iraniane, sipas raportimeve.

“Dënimet me vdekje të katër anëtarëve të organizatës sioniste të spiunazhit u kryen mëngjesin e sotëm”, thuhej në faqen e gjyqësorit iranian Mizan Online.

Grupi Amnesty International thotë se Irani është vendi që kryen më shumë ekzekutime në botë pas Kinës.

Teherani pretendon shpesh neutralizime të tentativave të Mossad për atentate e sabotazhe, por vërtetësia e pretendimeve mbetet e paqartë shkruan rrjeti Times of Israel.