Bota

Thellohen tensionet, një delegacion i Kongresit Amerikan në Tajvan!

Edhe një delegacion i Kongresit Amerikan po viziton Tajvanin, ndërsa tensionet me Kinën vazhdojnë të larta rreth pretendimeve mbi këtë ishull që vetëqeveriset. Acarimet vijojnë nga koha kur kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, vizitoi Tajvanin më herët gjatë gushtit. Pekini u kundërpërgjigj duke zhvilluar stërvitje ushtarake pranë ishullit. I udhëhequr nga demokratja Stephanie Murphy, delegacioni amerikan takoi presidenten tajvaneze, Tsai Ing-wen. Referuar kërcënimeve ushtarake kineze, Tsai tha se “vizita e delegacionit amerikan tregon mbështetjen e palëkundur për Tajvanin nga Kongresi Amerikan”.

Tajvani nuk do të përkulet para presionit. Ne do të mbrojmë institucionet tona demokratike. Tajvani nuk do të nënshtrohet!

Ndërkaq, ligjvënësja Murpy u shpreh se “Kongresi Amerikan duhet të lobojë për pjesëmarrje më të madhe të Tajvanit në organizatat ndërkombëtare”.

Tajvani tregoi se është anëtar i përgjegjshëm i komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht sa i përket çështjeve të shëndetit publik dhe meriton të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare.

Murphy është mes atyre që kanë prezantuar ligjin që lejon Amerikën t’i japë armë e mbështetje Tajvanit. Javën e kaluar, administrata e presidentit Joe Biden, miratoi shitjen e armëve për Tajvanin, në vlerën 1 miliard dollarë.

Thellimi i raporteve ekonomike me Tajvanin është një prej gjërave kryesore që Kongresi Amerikan mund të bëjë tani për tani, veçanërisht duke shtyrë përpara një marrëveshje për tregtinë e lirë mes palëve.

Ndërkohë, Tajvani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje të tillë. Në anën tjetër, kujtojmë se Nancy Pelosi është politikania më e lartë në Amerikë që viziton Tajvanin në 25 vitet e fundit. Kina u kundërpërgjigj ashpër ndaj vizitës së Pelosit muajin e kaluar, duke zhvilluar stërvitje ushtarake e dërguar avionë dhe anije në Ngushticën e Tajvanit.

Tajvani është ishull i cili vetëqeveriset dhe u nda nga Kina në luftën civile të vitit 1940. Por, Pekini nuk ka hequr dorë nga përpjekjet që ishulli t’i kthehet Kinës.