Bota

Thellohet kriza qeveritare në Britani/Mediat: Boris Johnson sot jep dorëheqjen!

Mediat angleze thonë se Boris Johnson ka bërë gati dorëheqjen, por sipas tyre planifikohet të qëndrojë në detyrë deri në vjeshtë. Kjo deri në zgjedhjen e liderit të ri konservator. Një zhvillim që pret konfirmim zyrtar nga çasti në çast. Kryeministri britanik, pësoi dezertimin e fundit sot me ministrin për Irlandën e Veriut, Brandon Lewis, ndërkohë që shumë anëtarë të partisë së tij thonë se Johnson duhet të largohet për keqtrajtim të akuzave për sjellje të pahijshme nga një zyrtar. Lewis i tha Johnsonit se qeveria kërkon “ndershmëri, integritet dhe respekt të ndërsjellë”, ndërkohë që ajo “ka kaluar pikën e moskthimit”. Dorëheqja e Lewis erdhi vetëm disa orë pasi ish-aleatja e Johnson, Suella Braverman, Prokurorja e Përgjithshme, gjithashtu i kërkoi publikisht kryeministrit që të largohej.

Më herët, Johnson refuzoi thirrjet për të dhënë dorëheqjen dhe shkarkoi papritur rivalin e kabinetit, Michael Gove. Por, ai u godit më vonë me largimin e një ministri të tretë të kabinetit, ministrit për Uellsin,  Simon Hart. Johnson u takua dje me ministrat, ku iu tha se ka humbur besimin e Partisë Konservatore dhe nuk duhet të vazhdojë në detyrë, por ai refuzoi të bindej. Gove mendohet se i ka thënë kryeministrit se ishte koha që ai të largohej.

Kjo u pasua nga një delegacion i ministrave të kabinetit që shkuan në Downing Street për t’i thënë Johnsonit se ai duhet të tërhiqej, pasi humbi besimin e ligjvënësve nga partia e tij. Ata përfshinin ministren e Brendshme, Priti Patel, ministrin e Biznesit Kwasi Kwarteng, atë të Transportit Grant Shapps si edhe dy ministrat e tjerë të sipërcituar. Aleatët, përfshirë ministren e Kulturës, Nadine Dorries dhe ministrin e Mundësive të Brexit, Jacob Rees-Mogg, mbetën në mbështetje të kryeministrit.

Johnson përballet me perspektivën e një tjetër votëbesimi, të orkestruar nga Komiteti i Konservatorëve 1922 i ligjvënësve mbështetës. Një ekzekutiv i ri për komitetin do të zgjidhet të hënën dhe mund të ndryshojë rregullat e udhëheqjes duke lejuar një tjetër votëbesim, vetëm një muaj pas votimit të fundit, të cilin kryeministri mund ta humbasë duke pasur parasysh mënyrën sesi anëtarët e partisë e kanë braktisur atë që nga e marta.