Sport

Tirana rikthehet në ‘Air Albania’, sonte luhet ndaj Zrinjski Mostar për Conference League!

Një javë pas zhgënjimit në Champions League ndaj Dudelanzh, Tirana rikthehet në stadiumin “Air Albania” sërish për llogari të Kupave të Europës. Bardheblutë do të zbresin në fushë mbrëmjen e sotme, duke nisur nga ora 20:00, për të sfiduar Zrinjski në duelin e vajtjes së raundit të dytë të Conference League.

Kampionët e Bosnje Hercegovinës vijnë në këtë raund me një rrugëtim të ngjashëm me atë të Tiranës, pasi u eliminuan në raundin e parë të Champions nga Sheriff Tiraspol.

Përballja e stadiumit kombëtar “Air Albania” pritet të ketë një interes të lartë nga tifozët, pavarësisht zhgënjimit të madh prej eliminimit në Champions. Pikërisht faktorin fushë duhet të shfrytëzojë skuadra e trajnerit Orges Shehi për të arritur rezultat pozitiv dhe për ta bërë akoma e më të thjeshtë përballjen e kthimit.

Për sa i përket potencialit, duke u nisur nga vlerësimet e transfermarkt, nuk ka diferenca të mëdha, organika e Zrinjskit kap shifrën e 8.68 milionë eurove, ndërsa ajo e bardhebluve në shumën e 5.78 milionë eurove. Gjithsesi këto janë vlerësime relative teksa forcën reale e tregon fusha. Një tjetër detaj i rëndësishëm, kampionati në Bosnje ka nisur në 15 korrik, dhe Zrinjski ende se ka luajtur ndeshjen e parë. 4 ditë pas kësaj sfide me bardheblutë do të zbresë në fushë në kampionati me Zelenjicar dhe 5 ditë më vonë përballet sërish me Tiranën.

Orges Shehi, ndërkohë, ndryshe nga përballja e fundit, do të ketë një Vesel Limaj më shumë për t’i dhënë fantazi mesfushës, ndërsa skuadra është përforcuar edhe me Llukman Hussein , ish-mbrojtësin e Kastriotit, natyrshëm një përforcim më shumë për kampionatin për sezonin e ardhshëm. Gjithsesi populli bardheblu kërkon progresin në Europë, e po ashtu dhe drejtuesit, me Conference League që përfaqëson një shans të dytë.

Absolutisht për t’u shfrytëzuar edhe faktori fushë, me mbështetësit që pritet të jenë të shumë këtë të martë në “Air Albania”. Për të gjithë të tjerët, çdo emocion, vjen drejtpërdrejti në ekranin e SuperSport, aty ku gjeni gjithmonë gjithçka që vërtet ja vlen./SS