Aktualitet

Tirana zyrtare kërkon zgjidhje diplomatike për krizën Ukrainë-Rusi!

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme deklaroi sot mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Në një deklaratë për shtyp, Tirana zyrtare rithekson kërkesën që Rusia të shtensionojë dhe të zgjidhë situatën në rrugë diplomatike. Në një deklaratë theksohet:

Në këtë situatë të vështirë dëshirojmë të riafirmojmë edhe një herë mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ne ritheksojmë kërkesën tonë që Rusia të shtensionojë dhe të zgjidhë situatën në rrugë diplomatike.

Pas përshkallëzimit të tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës, çmimi i gazit natyror, sipas marrëveshjeve të marsit në Europë, është rritur me 14 për qind, thënë ndryshe në 88 euro. Çmimi i gazit natyror sipas kontratave të marsit në TTF, një platformë virtuale e tregtimit të gazit natyror me seli në Holandë, javën e kaluar ishte rreth 77 euro. Kontratat e gazit natyror u rritën me 14 për qind në 88 euro në ditën e parë të tregtimit të javës.

Çmimet vitin e kaluar në këtë kohë ishin 18 euro. Vendet e Bashkimit Europian aktualisht importojnë 90 për qind të gazit natyror. Rusia është vendi që furnizon më së shumti gaz natyror në Europë.

Moska ka vendosur më shumë se 100 mijë trupa në kufi me Ukrainën duke rritur frikën se Kremlini mund të nisë një ofensivë ushtarake kundër fqinjit të tij ish-sovjetik. Rusia ka mohuar përgatitjen për një pushtim dhe ka akuzuar vendet perëndimore për minimin e sigurisë së saj duke zgjeruar NATO-n drejt kufijve të saj.

Ministrat e Financave të G7-ës paralajmëruan Rusinë për pasoja “të mëdha” ekonomike, nëse vendos që ta pushtojë Ukrainën. Po ashtu, grupi premtoi ndihmë për ekonominë ukrainase. Në një deklaratë të përbashkët thuhet se grumbullimi i vazhdueshëm ushtarak rus në kufijtë e Ukrainës është shkak për shqetësim të madh.

Ne ritheksojmë se në veçanti, çdo agresion i mëtejshëm ushtarak nga Rusia kundër Ukrainës do të përballet me një përgjigje të shpejtë, të koordinuar dhe vendimtare. Ne jemi të gatshëm të vendosim kolektivisht sanksione ekonomike dhe financiare që do të kenë pasoja masive dhe të menjëhershme në ekonominë ruse.

Kryeministri britanik, Boris Johnson i bën thirrje Vladimir Putinit të tërhiqet nga humnera duke e quajtur situatën shumë të rrezikshme nëse Rusia planifikon pushtimin e Ukrainës në 48 orët e ardhshme.

Situata është shumë e rrezikshme dhe e vështirë, ne jemi në buzë të greminës, por ka ende kohë që presidenti Putin të tërhiqet. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të dialogojnë (…) për të shmangur atë që do të ishte një gabim katastrofik!