Aktualitet

Tiranë, grabitet dyqani i celularëve te “Myslym Shyri”/5 mijë euro shpërblim për autorin!

Grabitet një dyqan celularësh në Tiranë. Ngjarja ndodhi sot në rrugën “Myslym Shyri”. Policia bën të ditur se autori me maskë të zezë e xhup të kuq veproi nën kërcënimin e një sendi të dyshuar si armë zjarri pistoletë, duke marrë disa aparate celularë. Blutë e kryeqytetit ofrojnë 5 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion të vlefshëm me qëllim kapjen e tij, si dhe garanton anonimatin e plotë të çdo qytetari.

Njoftimi i Policisë Tiranë:

Më datë 09.02.2024, rreth orës 09:30, në rrugën “Myslym Shyri”, një person me maskë të zezë dhe me një xhup të kuq, nën kërcënimin e një sendi të dyshuar si armë zjarri pistoletë, ka marrë disa aparate celular në dyqanin e shtetasit M. F., dhe më pas është larguar.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e dokumentimin e autorësisë të kësaj ngjarje.

DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e tij.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrat e telefonit 112 dhe +355 69 410 0118 duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.