Aktualitet

Tjetër rënie historike për euron në tregun vendas!

Në tregun e këmbimit valutor vendas, të hënën euro zbriti me 0.27 lekë duke shënuar një barrierë të re në rënie. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro ra për herë të parë në historinë e vet poshtë nivelit të 117 lekëve dhe u këmbye me 116.97 lekë.

Në këtë periudhë të vitit, mbiçmimi lekut është i pritshëm, për shkak të sezonit, të lidhur sidomos me turizmin. Kulmi i sezonit turistik shoqërohet me një rritje të prurjeve të euros në ekonominë shqiptare, duke ndikuar në zhvlerësimin e monedhës europiane ndaj lekut.  Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kursi i këmbimit euro-lek ka rënë me 4.5%.

Në raport me lekun pozitat i ka dobësuar edhe dollari amerikan. Monedha e gjelbër amerikane zbriti me 1.44 lekë dhe këmbehet me 115.28 lekë. Ndërsa me 0.32 lekë, zbriti paundi britanik. Monedha britanike këmbehet me 137.77 lekë, ndërsa franga zvicerane u nënçmua me 0.97 lekë dhe këmbehet me 118.19 lekë.

Banka e Shqipërisë vëren se kursi i këmbimit valutor që në vendin tonë po shfaq forcim të pozitave të lekut ndaj monedhave të huaja është i lidhur drejtpërdrejt me faktorë sezonalë. Guvernatori Gent Sejko tha se “nënçmimi i valutave në raport me lekun po ndikohet në këtë periudhë nga turizmi dhe shifrat në rritje të hyrjeve të vizitorëve në Shqipëri”.

Nënçmimi i euros shënon shifra jashtëzakonisht të larta krahasuar me vitin e kaluar, krahasuar me një vit të mbyllur në periudhën e kufizimeve nga pandemia. Por, natyrisht, kursi i këmbimit gjatë periudhës së verës ka qenë i mbiçmuar, pra leku ka qenë i fortë. Kjo përcaktohet nga kërkesa dhe oferta në treg. Prandaj dhe kursi i këmbimit mbetet i fortë. Faktori kryesor është turizmi, por edhe bilanci tregtar, ndërsa deficiti tregtar ka ardhur në ngushtim me 15% . Ajo që ne vëmë re është që sjellja e kursit të këmbimit është normale. Pra, nuk kemi një sjellje spekulative që të imponojë ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë për të rregulluar parametrat e kursit të këmbimit.