Bota

Tjetër sukses për Donald Trump, fiton Karolinën e Jugut/Nikki Haley e mundur në shtëpinë e saj!

Donald Trump mund Nikki Haley-n dhe fiton zgjedhjet paraprake republikane në Karolinën e Jugut. Një lajm shumë i mirë që e shoqëron drejt presidencialeve të nëntorit të këtij viti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fitorja e ish-presidentit amerikan pritej gjerësisht në shtetin me 50 super delegatë. Por, për Haley-n, nuk ka dyshime që kjo është një disfatë tepër e madhe, nisur edhe nga fakti që ka ndodhur pikërisht në Karolinën e Jugut ku ka shërbyer si guvernatore.

Ish-ambasadore në Kombet e Bashkuara gjatë administratës së presidentit Trump, Haley tha se “Trump po i dëmton Shtetet e Bashkuara në skenën botërore”, siç vuri në dukje, me mbështetjen e tij për Vladimir Putinin.

Por, ka edhe më shumë. Kjo disfatë “djeg” shumë pasi referuar statistikave, në mesin e kandidatëve republikanë, askush nuk ka humbur kurrë parapraket në shtetin e tij dhe më pas të ketë fituar zgjedhjet.

Donald Trump nuk e fshehu se gjithçka shkoi përtej pritshmërive dhe komentoi:

Eshtë një fitore edhe më e mirë nga sa pritej. Mora dy herë më shumë vota se kurrë më parë në Karolinën e Jugut. Partia Republikane, kurrë nuk ka qenë kurrë kaq e bashkuar.

Por, teksa ecën me besim drejt kandidimit republikan, duket se shqetësimi i vetëm i manjatit është Joe Biden, presidenti aktual i SHBA-ve, i cili i hoqi nga duart drejtimin e Shtëpisë së Bardhë në presidencialet e 2020-ës.

Sulmi i Trump-it ndaj Biden-it: “Nëse ai fiton, ne do të përfundojmë në ferr”.

Përpara se të numëroheshin votat për Karolinën e Jugut, Trump nuk kurseu një sulm verbal ndaj presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nëse Joe Biden fiton zgjedhjet në muajin nëntor të këtij viti, më e keqja nuk ka ardhur ende. Nën drejtimin e tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë udhëtimin e tyre të frikshëm drejt ferrit.

Duke e përshkruar veten si një “disident politik krenar”, manjati amerikan kritikoi ashpër numrin një të Shtëpisë së Bardhë ndërsa foli para një audience në Konferencën Konservatore Amerikane. Aty iu referua vetes si i vetmi person i përshtatshëm për të “ndaluar rënien” dhe siç shtoi më tej, si një “pasaportë kundër tiranisë”.