Aktualitet

Transportonte emigrantë të paligjshëm, pranga një turku në Memaliaj!

“Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” çon në prangat e bluve të qarkut të Gjirokastrës një shtetas turk. 39-vjeçari u kap në flagrancë nga policia në Memaliaj. Me makinën e tij tip “Peugeot”, ai transportonte drejt Shkodrës pesë shtetas nga Bangladeshi, që e kishin paguar. Arrestimi i tij u bë në kuadër të operacionit të koduar “Road Guard 59” nga Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër.   Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Njoftimi zyrtar i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër ka finalizuar operacionin “Road Guard 59”, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Policia informon se u kap në flagrancë duke transportuar me automjet, në drejtim të Shkodrës, pesë emigrantë që do të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme dhe u vu në pranga 39-vjeçari (shtetas turk).

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët, 1 aparat celular dhe një shumë parash.

Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Memaliaj, duke transportuar kundrejt pagesës me automjetin tip “Peugeot”, në drejtim të Shkodrës, pesë emigrantë nga Bangladeshi, të cilët do të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.