Rajoni

Trazirat në veri/ Ambasadori i SHBA-së në Kosovë: Të merren masa për normalizimin e situatës!

Përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it në Kosovë – SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Gjermanisë dhe Francës kërkuan nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të ndërmarrë hapa që do të çonin në çtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, tha se “ka një marrëveshje se normalizimi i situatës duhet të ndodhë, por nuk e di se si do të ndodhë”.

“Ne besojmë se nuk është e nevojshme që kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të punojnë çdo ditë në ndërtesat komunale. Për një afat të shkurtër, ne rekomandojmë që kjo të mos bëhet”, tha Hovenier.

Sipas tij, qeveria e Kosovës ka qenë në gjendje të gjejë mënyra që kryetarët të betohen në ndërtesa alternative dhe ta shmangin konfliktin.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, me të cilën ka diskutuar për situatën në veri të vendit.

Abdixhiku ka theksuar qëndrimin e LDK-së lidhur me domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve me aleatët ndërkombëtar.

“Abdixhiku e njoftoi znj.Von Cramon për qëndrimet e LDK-së lidhur me proceset e ndryshme në vend. Në veçanti u diskutua për gjendjen në katër komunat e veriut. Kryetari Abdixhiku përsëriti qëndrimin e LDK-së lidhur me domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve me aleatët tanë ndërkombëtar”, ka bërë të ditur LDK përmes një komunikate për media.

Disa serbë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale. Policia e Kosovës dhe pjesëtarët e KFOR-it kanë shtuar praninë, ndërkohë që serbët në Zveçan kanë hedhur gaz lotsjellës dhe mjete të forta.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.