Sport

Tre risitë e trajnerit Reja në miqësoret me Spanjën e Gjeorgjinë!

Trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Edoardo Reja, shpalli listën me emrat e 26 lojtarëve që do grumbullohen për dy ndeshjet miqësore ndaj Spanjës dhe Gjeorgjisë. Këtë herë, tekniku italian ka ftuar disa futbollistë që vijnë për herë të parë në përfaqësuesen kuqezi duke parë formën e mirë që po kalojnë.

Tre janë debutuesit, duke filluar me portierin Elhan Kastrati, i cili aktivizohet në Serinë B italiane me Cittadella-n, mesfushori Kristjan Asllani, që po shkëlqen në Serinë A me Empolin dhe mbrojtësi Adrian Bajrami i Benfica-s dhe aktivizohet me të rinjtë e klubit portugez. Fillimisht, Bajrami ishte grumbulluar me ekipin Kombëtar U-21, por pas bisedës mes stafeve teknike u vendos që të kalojë te ekipit Kombëtar A.

Ndërkaq, rikthehet me kuqezinjtë sulmuesi Giacomo Vrioni, i cili po kalon gjithashtu një formë të mirë me klubin në Bundesligën austriake, bashkë me Ivan Balliun. Në takimet e fundit, mbrojtësi ka munguar te kuqezinjtë për shkak të problemeve fizike. Më 26 mars, Shqipëria do të luajë me Spanjën në Barcelonë miqësoren e parë dhe më 29 mars do të presë Gjeorgjinë në “Air Albania”, në miqësoren e dytë të këtij muaji.

Trajneri Reja ka bërë ndryshime nga lista e kaluar që ishte përgatitur për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës ndaj Anglisë dhe Andorrës. Kështu, jashtë nga hera e fundit kanë mbetur portieri Gentian Selmani, Kastriot Dermaku, Lorenco Trashi, Endri Çekiçi, Bekim Balaj, Ernest Muçi apo edhe Taulant Seferi. Në këtë grumbullim, krahas Balliut e Vrionit, janë rikthyer pranë kombëtares edhe Berat Gjimshiti, Amir Abrashi e Rei Manaj.