Aktualitet

Tre vende vakante në KLP, shpallen emrat e 7 kandidatëve në garë!

Prokuroria e Përgjithshme shpalli emrat e shtatë kandidatëve në garë për tre vende vakante në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, KLP. Përmes një njoftimi për mediat, Prokuroria e Përgjithshme bëri me dije se pas verifikimit të kandidaturave që shprehën interesin për t’u bërë pjesë e garës për tre vendet vakante në KLP, nga radhët e Prokurorisë janë pesë kandidatura të cilat pritet të jenë në garë për pozicionet vakante.

Njoftimi zyrtar:

Pas verifikimit të plotësimit të kushteve ligjore të kandidatëve që kanë shprehur interesin për t’u zgjedhur anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, verifikim që u realizua pas disponimit të informacionit të ardhur nga Drejtoria e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet ish-Sigurimit të Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme shpall zyrtarisht kandidaturat për zgjedhjen e dy prokurorëve nga radhët e prokurorëve të prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë dhe një prokuror nga radhët e prokurorëve të prokurorisë pranë gjykatës të apelit të juridiksionit të përgjithshëm”, njofton Prokuroria e Përgjithshme.

Sipas njoftimit emrat e kandidatëve janë:

– Afërdita Ndoi  –      Prokuroria e apelit të juridiksionit të përgjithshëm Tiranë
– Moisi Duda     –      Prokuroria e apelit të juridiksionit të përgjithshëm Tiranë
– Edina Kurti     –       Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Durrës
– Edlira Bako     –      Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Elbasan
– Elsa Miha        –      Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Tiranë
– Olger Eminaj   –      Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Korçë
– Vatë Staka       –     Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Shkodër

Në vijim, Prokurori i Përgjithshëm, jo më vonë se dy muaj para datës së mbarimit të mandatit të anëtarëve prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në detyrë, do të thërras Mbledhjen e Përgjithshme të prokurorëve të të gjitha niveleve për të zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit.