Aktualitet

Tre vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019/Vazhdojnë problemet me strehimin!

Sot mbushen tre vjet nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019, që gjunjëzoi Durrësin. 51 persona humbën jetën, mbi 900 u plagosën, mijëra ndërtesa e shkatërruan e dëmtuan nga lëkundja e magnitudës 6.4 e shkallës Rihter. Rreth 11 mijë e 500 familje patën humbur shtëpitë e mbetën të pa strehë. Përveçse në Durrës, pasojat më të rënda u shtrinë edhe në Tiranë, Thumanë, Lezhë, Kavajë, Shijak, Kurbin, Kamëz, Mirditë e Rrogozhinë. Dëmet u llogaritën në afro 1 miliard euro.

Ndërkohë, sërish ka njerëz që përballen me problemin e strehimit si në Manzë të Durrësit ku u ndërtuan 9 pallate të reja, 8 familje ende jetojnë në kontejnerë apo baraka të improvizuara. Ato nuk kanë dokumente pronësie për banesat që zotëronin para tërmetit. Kreu i njësisë administrative të Manzës, Muharrem Sula shprehet se kjo problematikë i tejkalon kompetencat e institucionit që drejton. Për Radion Evropa e Lirë, Sula sqaroi:

Eshtë çështje që nuk mund të zgjidhet nga ne. Unë e kam deleguar këtë shqetësim në Bashkinë e Durrësit dhe pritet të ketë një mbledhje të Këshillit Bashkiak për të marrë një vendim për këto tetë familje. Nëse nuk përfitojnë dot banesën e tyre, atëherë do të përfshihen në projekte të tjera strehimi, siç mund të jetë strehimi në banesa sociale.

Në lagjen e re të ndërtuar për të prekurit nga tërmeti, janë 144 banesa që iu dhanë atyre që iu shembën banesat tre vjet më parë. Janë edhe 80 banesa të tjera, që janë menduar të shfrytëzohen si banesa sociale, për kategori të tjera të banorëve të kësaj zone.

Nga bashkitë e tjera pretendojnë se të gjithë të prekurit nga tërmeti janë sistemuar. Qeveria premtoi se 1 janari 2022 do t’i gjente të gjithë në banesa të reja, por një tjetër vit i ri po troket dhe ata kanë pak shpresë. Kur ishte ministër i Rindërtimit, Arben Ahmetaj shprehej se në pranverë 2022 nuk do të kishte asnjë shenjë nga tërmeti në territorin e dëmtuar, por kjo nuk ka ndodhur.

Për vonesat, qeveria u justifikua me zhvillimet e papritura botërore, si pandemia e rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit, si pasojë e luftës në Ukrainë dhe vështirësia për t’i siguruar. Në shkurt 2020, në Bruksel u mbajt konferenca e donatorëve “Bashkë për Shqipërinë”, ku u mblodhën 1.15 miliardë euro, përfshirë grante, projekte e hua për rindërtimin.

Kontrolli i Lartë i Shtetit që bën auditime, në një raport të publikuar në tetor të vitit të kaluar theksonte se “rindërtimi pas tërmetit në Shqipëri është shoqëruar me mungesë dokumentacioni”, një problem që sipas këtij institucioni “preku efikasitetin dhe transparencën e procesit”.