Aktualitet

Tritol banesës së një oficeri policie të Shkodrës!

Tritol banesës së një oficeri policie në Shkodër, fatmirësisht pa të lënduar, por vetëm me dëme materiale. Lënda plasëse që shpërtheu në mëngjes herët, rreth orës 02:25 minuta shkaktoi dëmtime në shtëpinë në pronësi të Pëllumb Vukës, në Hot të Ri. Dëme pësoi edhe automjeti tip “Benz” i 49-vjeçarit, i cili bashkë me familjarët ndodhej në banesë. Vuka, i cili punon pranë Komisariatit të Policisë Shkodër deklaroi se “nuk ka konflikte personale”, ndërsa pista kryesore e hetimit është për shkak të detyrës.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon  për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Në pak më shumë se një muaj, ky është rasti i katërt që punonjës të Policisë Shkodër bëhen shënjestër e sulmeve të ngjashme, që tingëllojnë si paralajmërime, mbi përplasje të mundshme, kryesisht për shkak të detyrës.

Më 28 prill, automjeti i efektivit të Forcave Operacionale të Shkodrës, Dritan Turhani u shkrumbua pranë banesës së tij, në lagjen “Perash”.

Dy ngjarje të tjera u regjistruan në muajin që sapo lamë pas. Më 14 maj, iu vu flaka makinës së efektivit të Shkodrës, Sokol Kroni. Automjeti i djegur ishte parkuar në lagjen “Tre Heronjtë” të qytetit verior.

Më 20 maj, një sasi tritoli iu vendos një lokali në fshatin Grudë e Re të Shkodrës. Lokali ishte në pronësi të efektivit të policisë, Ndrek Rrasa, 46-vjeç. Rrasa, efektiv i policisë së Shkodrës pranë sektorit të patrullës deklaroi se nuk ka konflikt me persona të tjerë.